Më 8 korrik është Dita e Ashures dhe besimtarët bektashinj e festojnë si një nga ditët më të shenjta dhe domethënëse për komunitetin e tyre. Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, përcolli një mesazh uniteti dhe bashkimi për të gjithë besimtarët.
Ai u lut për paqe, në një kohë kur, siç u shpreh vetë, vatrat e luftërave në botë janë të shumta. Kryegjyshi u lut që konfliktet dhe luftërat të ndalen, për t’i lënë vendin paqes dhe gëzimit.
“Një thirrje miqësie dhe solidariteti për të respektuar dallimet dhe diversitetin për të ndarë bashkërisht gëzime dhe hidhërime të mirën dhe të keqen arritjet dhe mundet, besimet dhe vështirësitë e jetës së përditshme. Drita dhe mësimet e paqta të besimit të kundërshtojnë ekstremistët, terroristët dhe forcat e errësirës. Në ditët e sotme vatrat e konfliktit janë të shumta por ne lutemi që njerëzimi të gjejë paqe dhe të pushohen konfliktet dhe luftërat’, tha mes të tjerash Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj.
(BalkanWeb)
