Disa dhjetëra të rinj dhe qytetarë të moshave të ndryshme, të veshur me kostume festive babagjyshi, vrapuan mbrëmjen e kaluar në rrugët e kryeqytetit, duke i shtuar edhe më shumë atmosferë festive fundvitit. Christmas Run Up Light, i organizuar nga Tirana Running Club dhe disa komunitete te tjera, nisi nga sheshi “Italia” dhe përfundoi në zonën e ish-stacionit të trenit.
Nën dritat shumëngjyrëshe, mes muzikës dhe energjisë pozitive, babagjyshët vrapuan së bashku në një aktivitet jo konkurrues, duke e kthyer mbrëmjen në një festë sportive dhe sociale.
Organizatorët nga Tirana Running Club Endrit Çela, Eva Çota dhe një nga maratonistët, Pandeli Llukmani u shprehën se qëllimi i këtij eventi është promovimi i aktivitetit fizik, i një stili jetese të shëndetshëm, si dhe forcimi i ndjenjës së komunitetit, veçanërisht në prag të festave të fundvitit. Ata u bënë gjithashtu thirrje klubeve të tjera të vrapimit që t’i bashkohen iniciativës Christmas Run Up Light.
Përmes këtij aktiviteti, organizatorët përcollën mesazhin se sporti është për të gjithë dhe se, edhe gjatë stinës së dimrit, lëvizja, bashkimi dhe pozitiviteti janë thelbësore për mirëqenien fizike dhe mendore të qytetarëve.
