Arbër Hajdari mbajti fjalën e tij në 10-vjetorin e “Fundjavë Ndryshe”, një moment i rëndësishëm për fondacionin që prej një dekade ndihmon familjet në nevojë dhe individë në situata të vështira ekonomike.
Me humor dhe emocion, ai nisi fjalimin para rreth 2 mijë të pranishmëve me fjalët:
“Nuk isha përgatitur për të mbajtur një fjalim, por parafolësi im foli aq bukur saqë doja të dilja që të mos harroni që kryetari jam unë këtu”, tha ai duke iu referuar fjalës së kryeministrit Edi Rama.
Duke kujtuar rrugëtimin personal dhe arsyet që e shtynë drejt aktivizmit social, ai solli në vëmendje fillimet e tij, duke theksuar se idealet kanë qenë gjithmonë më të rëndësishme se pushteti:
“Unë besoj se jam një nga ish-aktivistët e parë dhe të fundit që do ta lija FRESSH në ditën e parë që PS erdhi në pushtet. Sepse nuk jam bashkuar kurrë për pushtet, por për idealet e mia.”
Në fjalën e tij, Arbër Hajdari ndau edhe një moment personal, duke falënderuar familjen për mbështetjen e pandarë.
“Familja ime ka qenë themeli dhe mbështetja e punës dhe misionit tim. Babai më mësoi me shembull se duhet të jesh i dobishëm për të tjerët, se nderi, karakteri dhe dinjiteti janë pasuria më e madhe që mund të ketë një njeri.”
Eventi u mbyll mes duartrokitjeve, teksa Arbër Hajdari theksoi se misioni i “Fundjavë Ndryshe” do të vazhdojë edhe më fuqishëm.
