Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, ka akuzuar ashpër zv.kryeministren Belinda Balluku për përfshirje në një tjetër aferë korruptive, këtë herë me aeroportin e ri të Vlorës.
Sipas tij, Balluku po synon ta kthejë këtë projekt strategjik në një mjet për përfitime personale dhe grabitje të pasurisë publike.
Ai e përshkruan aeroportin si një simbol të babëzisë dhe korrupsionit të qeverisë Rama-Balluku. Me tone të forta, Këlliçi thekson se çdo investim nën drejtimin e tyre mbart gjurmët e hajnisë dhe abuzimit me pushtetin.
Postimi i deputetit të PD-së Belind Këlliçit:
Nga rrugët tek portet, nga energjia tek mbetjet, tashmë edhe aeroportet i shtohen skemës së babëzisë Rama-Balluku. Pasurisë publike që po kyçet në çifligun e diktatorit, po i bashkohet edhe aeroporti i ri i Vlorës.
Ky skandal i privon shqiptarët nga një portë drejt botës, nga një urë brezash për zhvillim, sepse barku i Ramës dhe Ballukut nuk nginjet.
Aeroporti i Vlorës nuk është histori infrastrukture, por manual pushteti korruptiv!
Në çdo projekt që prekin, Edi Rama dhe Belinda Balluku lënë gjurmën e hajnisë: pushteti si biznes privat, pasuria publike si llogari personale.
Këtë duan të bëjnë edhe me aeroportin e Vlorës, që nuk do t’i matet vlera me numrin e fluturimeve, por me thellësinë e korrupsionit që zbarkon bashkë me të.
Në Shqipërinë e Ramës dhe Ballukut, çdo pistë e re është thjesht itinerari i vjetër i grabitjes!
