Historia e trajtuar ditën e sotme në emisionin “Me Zemër të Hapur” kishte në qendër rastin e një të burgosuri, i cili prej pesë muajsh ndodhet në paraburgim, pasi është akuzuar për dhunë në familje nga fëmijët e tij.
Bashkëshortja e tij, në një bisedë live me moderatoren dhe autoren e emisionit, Evis Ahmeti, ka rrëfyer versionin e saj për ngjarjen dhe ka mohuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë ndaj saj. Sipas saj, gjithçka nisi më 3 prill, gjatë një feste familjare në një lokal ku njëri prej djemve punonte si kamerier.
Gruaja tregon se bashkëshorti kishte konsumuar disa birra dhe ishte në gjendje të dehur, ndërsa më pas mes çiftit dhe djalit nisi një debat. Ajo thotë se, gjatë konfliktit, bashkëshorti i kishte vendosur dorën në gojë dhe i kishte kërkuar të mos fliste.
Sipas rrëfimit të saj, djali telefonoi policinë duke deklaruar se babai po e rrihte nënën.
Policia mbërriti në lokal dhe mori bashkëshortin e saj, ndërsa gruaja thotë se u kërkoi efektivëve të mos e arrestonin, pasi sipas saj ai ishte vetëm i dehur. Ajo pretendon se më pas situata u përshkallëzua edhe më tej dhe se fëmijët u përfshinë në denoncimin ndaj babait.
“3 prill ishte Pashkë, mora vajzën dhe shkuam të festonim si familje. Pasi piu 3-4 gota bashkëshorti im, djali nisi të thoshte ‘mos pi më’ dhe po degradonte situata. Unë po mbroja djalin, meqë ishim në lokal, në vend publik, dhe burri më vuri dorën në gojë, më tha ‘mos fol’”, rrëfeu gruaja.
Ajo pretendon se djali i madh telefonoi policinë dhe denoncoi të atin, ndërsa më pas, sipas saj, edhe fëmijët e tjerë u detyruan të bënin denoncime.
“Djali mori policinë në telefon dhe tha ‘babi po rreh mamin’. Policia erdhi të marrë burrin dhe iu luta të mos e merrnin, sepse ishte thjesht pak i dehur. Djali ka denoncuar në emrin tim, ka detyruar edhe djalin e vogël 17-vjeç të denoncojë gjithashtu. Policia më ka kërcënuar, më ka kapur me forcë nga duart. Mua nuk më ka thënë askush të shkoja te mjekësia ligjore, por nuk kam pasur as shenja dhune, asgjë”, u shpreh ajo.
Sipas gruas, bashkëshorti i saj ndodhet prej pesë muajsh në paraburgim dhe pret të gjykohet.
Gruaja deklaroi gjithashtu se prej 23 vitesh është e martuar me të dhe se, pavarësisht konfliktit të ndodhur atë ditë, marrëdhënia mes tyre ka qenë e mirë.
