Kreu i PD-së, Sali Berisha nga mbledhja me grupin parlamentar demokrat, sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama.
Ai tha se ky i fundit u damkos keq në Këshillin Europian, që sipas tij anuloi të gjithë takimet me kreun e qeverisë shqiptare, pas fjalimeve të këtij të fundit si ‘Gadafi’.
“Zemërimi i qytetarëve po shkon në përmasa të papërmbajtura. Ka një revoltë të brendshme shpirtërore te njerëzit e thjeshtë që e shohin se dhe ajo shpresë që kishin te drejtësia për ndëshkimin e korrupsionit u shua. Ata kuptuan se shkaku, autori, arkitekti i sistemit të korrupsionit në Shqipëri e ka emrin Edi Rama. Ata kuptuan se njëlloj si në diktaturë, drejtësia nuk mund t’i afrohet atij. Qytetarët po e kuptojnë dhe e kanë kuptuar se vjedhja e pasurive të tyre dhe e fondeve publike për Edi Ramën, është normalitet. Konsideron veten si padron të tyre. Ndërkohë, duhet t’u informoj se java e kaluar ishte një javë në të cilën Edi Rama u damkos në tempullin e demokracisë europane, Këshillin e Europës. Para asaj audience, bashkimit të vendeve anëtarë, të NATOS dhe të vendeve të tjera, mund t’u pohoj me garanci të plotë se bajlozi i zi, personazhi më i zi në këtë sesion ishte Edi Rama. Si asnjë tjetër, ai ka emrin më të keq aty. Ishte regjistruar se pas fjalës së tij të stilit alla Gadaf, shkoi tu japë leksione ky. Ata u detyruan të anulojnë takimet dhe drekën zyrtare. S’ka ndodhur kurrë!”, tha ai.
