Seanca plenare e Kuvendit u shoqërua me debate të forta dhe replika midis deputetëve, përfshirë edhe akuza të drejtpërdrejta. Një nga diskutimet më të nxehta u zhvillua mbi Aktin Normativ të paraqitur nga mazhoranca, ku u përfshinë kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, dhe deputeti Erion Braçe.

Braçe, gjatë fjalës së tij në foltore, pyeti grupin e tij se si duhej ta votonte aktin normativ, i cili katër javë më parë ishte propozuar nga ai, por rrëzuar nga vendimi politik i kolegëve të PS.

Reagimi i Ballës ishte i menjëhershëm: ai theksoi se aktet normative ose miratohen, ose rrëzohen, dhe nuk mund të bëhen ndryshime të menjëhershme. Ai iu referua edhe shqetësimeve të ngritura nga Braçe për kompensimet e fermerëve dhe bujqëve për dëmet nga përmbytjet dhe problematika të tjera.

Braçe sqaroi se nuk kishte kërkuar ndryshime në aktin normativ, por thjesht donte të kuptonte si duhej ta votojë një amendament të rrëzuar më parë: “Nuk bëra kërkesë për ndryshim. Thashë vetëm që amendamenti i rrëzuar katër javë më parë, sot është sjellë me akt normativ. Unë pyeta grupin tim si të votoj: pro apo kundër, kaq thashë!”, u shpreh ai.

Balla u shpreh: “Jam plotësisht dakord me shqetësimet për t’iu gjendur pranë fermerëve dhe banorëve për fenomenet natyrore. Aktet normative nuk ndryshohen brenda ditës. E vlerësoj shqetësimin e kolegut tim, por ju ftoj ta votojmë.”. Debati theksoi tensionet brenda grupit socialist, por edhe vëmendjen ndaj çështjeve të mbrojtjes së interesave të qytetarëve nga dëmet natyrore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: