TIRANE– Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka prezantuan në seancën e sotme parlamentare draftin e mazhorancës për dekriminalizimin, por deputeti demokrat Oerd Bylykbashi e ka cilësuar atë një farsë dhe dredhi. Balla tha se në Kuvend janë dorëzuar dy iniciativa për personat e inkriminuar, dhe për kriteret për të mos lejuar kandidimin e tyre, apo përfshirjen në administratë. Deputeti Socialist tha se për këtë draft kanë patur konsultime me eksperiencat ndërkombëtare, duke u shprehur se drafti synon ndalimin e kandidimit të personave të inkriminuar.

Por sipas deputetit demokrat Bylykbashi, ka vetëm një amendament të PD-së për këtë çështje, dhe propozimet e PS për këtë amendament dëmtojnë procesin.

“Dy iniciativa janë dorëzuar në Kuvend, janë iniciativat për personat e inkriminuar. Jemi konsultuar me eksperiencat ndërkombëtare. Të ndalohet kandidimi i personave të inkrimuar. Çdo person që kandidon për zgjedhjet lokale duhet të plotësojë një formular vetëdeklarimi për të dëshmuar pasjen apo mospasjen e një precedenti penal. Kjo nëse miratohet duhet të deklarohet deri më datë 10 maj. Kush gënjen në këtë vetëdeklarim duhet të dënohen sipas juridiksionit përkatës. Do të bëhet verifikimi i figurës së çdo personi që kandidon për zgjedhjet lokale të 21 qershorit”, tha Balla.

Sipas deputetit Bylykbashi në draftin e paraqitur nga mazhoranca nuk janë përfshirë disa pika të rëndësishme të propozuara në amendamentin e PD për dekriminalizimin.

“Propozojmë që të gjithë personat që janë dënuar për kryerjen e një krimit të rëndë, qoftë edhe korrupsion, apo edhe vepre të tjera që nuk përbëjnë krim të rëndë të jenë të përfshirë në amendament. dhe bllokimi i i tyre të jetë për 20 vite. dhe për ata të dënuar me një krim të kryer me dashje, të pengohen derisa nuk janë rehabilitua. Propozojmë që personat që kanë ende llogari të hapura me drejtësinë edhe në vendet e BE, ka masë sigurie arrest apo janë në kërkim ndërkombëtar, të jenë pjesë e këtij ndalimi”, tha Bylykbashi.

Marrja e shenjave të gishtave për personat që kërkojnë të kandidojnë, propozuar nga Bylykbashi, ka bërë që Balla të përdorë një batutë për kandidatin e PD­-së për bashkinë e Tiranës, Halim Kosova.

“Si t’i them unë Halim Kosovës tani hajde Halim bjer shenjat e gishtërinjve, Halimi ka edhe profesion të nderuar, ai ça s’ka prekur, kjo është qesharake. E kemi hequr se mendojmë se s’është e nevojshme, shenjat janë tek kompania e pasaportave, i ka INTERPOL… kemi rezervat tona për shumë nga kandidaturat tuaja, nëse s’votohet kjo,, një njeri që i shpëton është Xhelali juaj. Se një person i dënuar me vendim të formës së prerë është Xhelali. Keni edhe një kandidate tjetër, që është imazhi i partisë, mos e bëni atë të parandaloni këtë votim, për të shpëtuar imazhin e partisë që s’e mbajtët në Tiranë po e çuat në Durrës. Të 61 kandidatet e PS janë të pastra qelibar. Shfrytëzoni këtë seancë t’i kërkoni ndjesë edhe kolegut tonë Artur Bushi”, tha Balla.

Përtej paraqitjes së draftit për dekriminalizmin dhe diskutimeve mes deputetëve Balla dhe Bylykbashi, nuk u arrit konsensusi për miratimin e tij.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb