Ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë vizitës në jug të vendit u ndal në gjimnazin “Sami Frashëri” në Përmet, i cili ka mbi 200 nxënës, për të folur mbi Paketën e Sigurisë në Shkolla. I shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë, Ministri tha se Përmeti ka një emër të rëndësishëm sa i përket sigurisë me një numër të ulët të veprave kriminale ndër vite.

Ai nxiti nxënësit, Këshillin Rinor për të rritur bashkëpunimin me oficerët e sigurisë dhe Policinë, për të ruajtur emrin e mirë të Përmetit. “Gjithmonë ka tentativa nga individë të caktuar për të përfshirë nxënës në përdorimin e lëndëve narkotike. Ju nxis të merreni me sport e lexim, e aspak me përdorimin e narkotikëve, pasi janë dëm për shëndetin tuaj dhe dëm i madh financiar për familjet tuaja”, iu drejtua Balla, nxënësve.

Ai shtoi se Policia do të bëjë gjithçka për të izoluar dhe parandaluar fenomenin e shpërndarjes së këtyre lëndëve. Balla tha se duhet reaguar me forcë kundër bullizmit apo dhunës me bazë gjinore. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku i ftoi nxënësit të jenë bashkëpunues duke informuar në kohë Policinë për çdo rast, brenda apo jashtë shkollës. Përfaqësues të nxënësve thanë se parandalimi është shumë më tepër efektiv, për të rritur sigurinë kudo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: