Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti në Kuvend Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, në nisje të sesionit të ri parlamentar.

Në fokus të takimit ishte agjenda e ngjeshur ligjvënëse e këtij sesioni, ku parashikohet shqyrtimi i një numri të madh projektligjesh, si edhe avancimi i dy reformave të rëndësishme, Reformës Zgjedhore dhe Reformës Territoriale.

Balla theksoi rolin kyç të Kuvendit në këtë fazë vendimtare të procesit të integrimit europian.

“Diskutuam mbi avancimin e procesit të integrimit europian, rolin kyç të Kuvendit në këtë fazë vendimtare të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, me objektin tonë të qartë ngritjen e flamurit tonë kuq e zi në oborrin e Brukselit deri më 28 Nëntor 2030.”

Balla shprehu krenarinë për ecurinë e deritanishme të vendit në negociata, duke theksuar se Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt dhe po ecën me vendosmëri drejt mbylljes së tyre, mbi bazën e meritës, reformave konkrete dhe respektimit të vlerave europiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb