Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, theksoi se Partia Socialiste nuk bashkëpunon me partinë e Tom Doshit, ky i fundit i shpallur “non grata” nga SHBA.

Balla tha se Doshi ka dhënë dorëheqjen dhe nuk është më në Kuvend, ndërsa i bëri thirrje Sali Berishës, që të marrë shembullin e tij dhe të heqë dorë nga mandati i deputetit.

“Unë nuk di që PS të ketë ndonjë marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Tom Doshit. Nuk di që në Kuvend të jetë prezent Doshi, i cili ka dhënë dorëheqjen. Ta bëjë dhe Berisha atë që bëri Doshi, të marrë modelin e tij dhe të bëjë të njëjtën gjë. Bashkëpunim me Doshin? Ai nuk është as në Kuvend, as në Konferencën e Kryetarëve. Mendoj se Berisha duhet të mungojë përjetësisht në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Balla.

Më tej, ai u pyet nga gazetarët se “Cila do të ishte dhurata e PS për 2022, drejtimi i PD nga Basha apo nga Berisha?”, duke u shprehur se ai nuk është Nostradamusi që të parashikojë kush mund të drejtojë Partinë Demokratike, por theksoi se viti 2022 duhet ta gjejë Sali Berishën në përballjen me drejtësinë dhe jashtë politikës e Kuvendit.

“Ka ardhur koha të mendojmë çfarë duhet të bëjmë mirë për vendin. Jam krenar që viti 2021 po mbyllet me mijëra shtëpi të reja. Edhe në këto momente 153 familje në Kavajë po hyjnë në shtëpitë e tyre. Jam shumë krenar që kemi arritur që dhurata e vitit të ri për këto familje të jetë hyrja në shtëpitë e reja. Nuk jam Nostradamusi dhe nuk parashikoj se kush do të jetë në krye të PD, por mendoj se politikanë që kanë 30 vite që i bëjnë dëm interesave të vendit, ka ardhur koha të largohen. Mendoj që do ishte mirë që viti 2022, që është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria do të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE, politikanët që i kanë bërë keq Shqipërisë nuk duhet të jenë më në tryezën e vendimmarrjes politike, ku Kuvendi është institucioni më i lartë. Kur SHBA i përcakton si persona që kanë kryer korrupsion të nivelit të lartë, mendoj se këta persona 2022 duhet t’i gjejë në përballjen e tyre me drejtësinë dhe jashtë politikës e jashtë Kuvendit”, theksoi ai.

Gjithashtu, Balla u pyet dhe për akuzat e Sali Berishës se në dosjen e “Toyota Yaris” është i përfshirë edhe Basha dhe nëse duhet të ndërhyjë drejtësia këtu, prej ku tha se “Unë jam fitues me Bashën në një gjyq penal dhe besoj nga të dhënat dhe argumentet e depozituara nga avokatët e mi kundër Bashës do të fitojmë edhe në nivelin e dytë, që merr dhe formë të prerë. Do interesohem deri në fund që Basha të paguajë penalitetin, që shkon në fondet e shtetit shqiptar. Duke qenë se Basha tani është nën akuzë nga Berisha, nëse Basha mendon se është i pafajshëm, duhet të kallëzojnë penalisht Berishën për shpifje në GJKKO. Kjo është një çështje që e ka marrë përgjigjen. Standardi që jam munduar unë të vendos ka qenë të shkoj në gjykatë. Sapo kam fituar dhe një gjyq tjetër me Strazimirin. Jam angazhuar që çdo qindarkë që do marr nga këto gjyqe, të shkojnë për kopshte e çerdhe në Librazhd”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb