TIRANË- Gjykata e Tiranës dha sot masën arrest me burg për Ismail Morinën, i njohur ndryshe si “Ballisti”, autori i ngritjes së dronit në Beograd, i cili u kap një ditë para ndeshjes së kombëtares shqiptare me atë serbe, pasi lëvizte i armatosur. Siç duket edhe në pamjet e marra nga News24, Morina ka hyrë Gjykatë i veshur me një bluzë të kuqe me shqiponjën e zezë, por sapo ka hyrë sallë është urdhëruar për ta hequr, pasi nuk lejohet me ligj.

Ndërkohë Prokuroria ka kërkuar për të “arrest me burg”, ndërsa vetë tifozi i flakët i kuqezinjve, Ismail Morina ka deklaruar se ndjen keqardhje për situatën e krijuar.

“Do të doja të isha përballë një trupe gjyqësore serbe të mbroja krenarinë shqiptare, por tani jam para gjyqtarit shqiptar dhe duhet të mbroj veten. Unë nuk kërkoj mëshirë, dua mirëkuptim nga ju, nëse do kem vendim pozitiv do ta nderoj atë deri në fund. Nuk kërkoj mëshirë, se nuk është në karakterin tim, vendimin tuaj do ta respektoj deri në fund”.

Më tej ai thotë, “Unë kam një familje që nuk e shoh prej dy vitesh, kam dy fëmijë për të rritur”­.

Avokati i tij mbrojtës tha se Ismail Morina e ka pranuar akuzën e armëmbajtjes, gjatë një interviste dhënë për prestigjozen “The New York Times”, por theksoi se duhet trajtuar si një rast i vecantë nga drejtësia.

Bashkë me Ballistin u arrestuan edhe 3 persona të tjerë, por gjykata vendosi ti lërë të lirë tifozat kuq e zi (Erion Bahushi, 22 vjeç; Denis Balla, 21 vjeç dhe Marin Rexha, 20 vjeç).

Të katërt këta persona janë ndaluar dhe kontrolluar nga shërbimet e policisë në rrugën “Petro Nini Luarasi”, ose pranë zonës së njohur si ‘Tregu elektrik’ dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj Ismail Morinës, i është gjetur e fshehur në trup (xhep) një armë zjarri e tipit pistoletë “Zastava” me gjashtë fishekë. Morina ishte duke drejtuar mjetin tip “Land Rover” me targe AA 874 KY dhe gjendej në shoqërinë e tre personave të tjerë, në momentin e arrestimit.
(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: