Deputeti Klevis Balliu, gjatë një vizite në Berlin, zhvilloi takime me deputetët e Bundestagut gjerman, z. Axel Knoerig nga CDU dhe z. Lars Castellucci nga SPD.

Gjatë takimeve, Balliu denoncoi atë që e quajti farsën elektorale të kryeministrit Edi Rama dhe vuri në dukje minimin e institucioneve demokratike si pasojë e kapjes së plotë të të gjitha institucioneve shtetërore.

Ai theksoi se kjo situatë përbën një  kërcënim serioz për funksionimin e demokracisë dhe për rrugën europiane të Shqipërisë.

Postimi i plotë i Klevis Balliut:

Takimi me deputetët gjermanë Axel Knoerig (CDU) dhe Lars Castellucci (SPD) në Berlin.

Gjatë vizitës sime në Berlin, pata kënaqësinë të zhvilloj takime me dy deputetë të Bundestagut, z. Axel Knoerig nga CDU dhe z. Lars Castellucci nga SPD. I informova ata mbi sfidat e mëdha me të cilat përballet vendi ynë, si pasojë e kapjes së shtetit dhe dobësimit të institucioneve demokratike.

Theksova se vlerat dhe parimet demokratike janë themeli i rrugës europiane të Shqipërisë. Minimi i pluralizmit politik përmes farsave elektorale nuk përbën vetëm një shkelje të standardeve demokratike, por një tradhti ndaj aspiratës së shqiptarëve për integrim në Bashkimin Europian.

Bashkëbisedimi me deputetët e nderuar konfirmoi edhe një herë vëmendjen dhe rëndësinë që partnerët tanë gjermanë i kushtojnë funksionimit të demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendet që synojnë anëtarësimin në BE.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb