Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka folur për qëndrimin e PD ndaj SPAK, institucion që më herët është quajtur “SKAP” nga kryedemokrati Sali Berisha, duke theksuar se në muajt e fundit ka pasur zhvillime dhe ndryshime të rëndësishme.
Balliu u shpreh se, sipas tij, ekzistojnë segmente të strukturuara brenda sistemit që i krahasoi me “sigurimin e shtetit”, të cilat, sipas tij, janë përdorur për të goditur ata që denoncojnë. Megjithatë, ai theksoi se së fundmi ka ndryshime thelbësore në SPAK, përfshirë edhe ndryshimin e drejtuesit të institucionit.
Deputeti demokrat theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar një aksion të drejtpërdrejtë dhe masa konkrete kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, Partia Demokratike do të mbrojë maksimalisht atë që e quajti “drejtësinë amerikane dhe të vërtetë”.
Balliu deklaroi se më herët e ka kritikuar SPAK-un për mungesë veprimi ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku dhe ndaj çështjeve që lidhen me AKSHI-n, por theksoi se tani, sipas tij, institucioni ka nisur të veprojë. “Tani po marrin masa dhe i përgëzoj. SPAK ka lëvizur dhe duhet ta mbështesim”, u shpreh ai.
Ai shtoi gjithashtu se, sipas tij, akuzat e ngritura më herët nga Arben Ahmetaj kanë rezultuar të vërteta, duke thënë se tashmë kuptohet edhe arsyeja e largimit të tij nga vendi.
Në vijim, Balliu theksoi se Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë mbajtur një qëndrim koherent, duke nënvizuar se PD nuk ka kërkuar asnjëherë të mos hetohet. “Nëse ka kallëzim, hetoni”, u shpreh ai, duke shtuar se, sipas tij, nuk janë respektuar standardet kur bëhet fjalë për masat ndaj opozitës, ndërsa për kryeministrin Edi Rama, sipas Balliut, nuk ka masa të tilla.
Në përfundim, deputeti demokrat theksoi se kritikat ndaj SPAK nuk nënkuptojnë se i gjithë institucioni është i korruptuar, duke deklaruar se “jo çdo njeri në SPAK është i korruptuar”.
