Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike, pas mbledhjes që Ervin Salianji zhvilloi me strukturat në Durrës. Ai deklaroi se debati i brendshëm nuk është problemi kryesor dhe se vëmendja duhet të jetë tek akuzat ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për abuzim me fonde publike.

Balliu tha se PD-ja do të përqendrohet në denoncimin e aferave që sipas tij lidhen me Ballukun. “Duhet të përqendroheni më shumë tek 50 milionë eurot që vjedh Belinda. Debati në PD ka qenë dhe do të jetë gjithmonë. Rëndësi ka që do jemi përballë qeverisë, aty ku kemi qenë gjithmonë,” u shpreh ai.

Duke vijuar akuzat, Balliu përmendi shkelje që, sipas tij, lidhen me projektin e Tunelit të Llogarasë, me kontratat e njohura si Tigri 1 dhe Tigri 2, si dhe me aksin rrugor Korçë–Ersekë. Ai tha se këto janë para që po i ikin qytetarëve shqiptarë dhe se demokratët do t’i denoncojnë të gjitha këto çështje në Kuvend.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: