Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Bundestagut gjerman dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, duke theksuar nevojën për forcimin e institucioneve demokratike dhe përshpejtimin e rrugës së Shqipërisë drejt integrimit europian.
Nëpërmjet një deklarate publike, Balliu njoftoi se gjatë takimit me z. Koloman Brenner, anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, dhe deputetin gjerman Bern Rützel (SPD), u trajtuan çështje kyçe që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe rëndësia e mbështetjes ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“U theksua mbështetja e qëndrueshme e partnerëve tanë ndërkombëtarë për rrugën europiane të vendit, e cila mbetet e kushtëzuar nga angazhimi ynë i palëkundur për të garantuar sundimin e ligjit, transparencën dhe funksionimin e shtetit të së drejtës,” – tha Balliu.
Në këtë kontekst, ai informoi bashkëbiseduesit për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë shqetësimet mbi procesin zgjedhor të 11 majit, që sipas tij u shoqërua me “parregullsi të rënda dhe ndërhyrje flagrante të elementëve të krimit të organizuar në funksion të interesave qeveritare”.
Balliu rikonfirmoi angazhimin e Partisë Demokratike për të mbrojtur standardet demokratike, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe për të vijuar me denoncimin e çdo akti që, sipas tij, dëmton perspektivën europiane të vendit.
Postimi i plotë:
