Në Komisionin e Punëve të Brendshme dhe të Mbrojtjes, deputeti demokrat dhe nënkryetari i komisionit, Klevis Balliu zhvilloi një përplasje të ashpër me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu duke akuzuar qeverinë se ka dorëzuar sigurinë kombëtare në duart e kompanive fiktive të lidhura me pushtetin.
Balliu denoncoi dhënien e tenderëve kompanisë TIMAK Defence, e cila sipas tij është themeluar nga persona pranë Edi Ramës dhe ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ndërsa më pas aksionet janë shitur, shtoi ai, “për vetëm 450 euro tek miku i Ramës, Ron Yeffet”.
“Si mund të lejoni që një kompani fiktive, pa buxhet dhe pa kapacitete reale, të merret me çështje që lidhen me prodhimin e armëve dhe sigurinë kombëtare? Kjo nuk është punë për shtetin, por për vjedhjen e tij,” deklaroi Balliu.
Deputeti demokrat theksoi se ndërsa ministria flet për siguri, në realitet “siguria është lënë në duart e mafies”. Ai kujtoi se “pas daljes së ministres së Brendshme nga komisioni ndodhi atentati në aeroport – në zonën që qeveria e quan më të sigurt”.
Në mbyllje, Balliu akuzoi qeverinë se “ka kthyer Portin e Durrësit në pikën më të madhe të pastrimit të parave” dhe kërkoi që institucionet e drejtësisë të hetojnë urgjentisht lidhjet dhe tenderët e TIMAK Defence.
