Në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, organizuar nga kryeministri britanik Keir Starmer, rajoni i Ballkanit Perëndimor mori një lajm të mirë: 15 rezultatet e përbashkëta të arritura këtë vit do ta bëjnë rajonin më konkurrues, më të gjelbër dhe më të afërt me Bashkimin Europian.

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviç, prezantoi në Londër një paketë me 15 arritje konkrete, që variojnë nga investimet e qëndrueshme dhe energjia e pastër, deri te turizmi rajonal dhe transferimi i të drejtave sociale për qytetarët.

“Rezultatet flasin vetë. Pesëmbëdhjetë arritje të prekshme që forcojnë bashkëpunimin, tranzicionin e gjelbër dhe integrimin rajonal. Së bashku po e mbajmë rajonin në rrugën e rritjes dhe të konvergjencës evropiane”, deklaroi Kapetanoviç, duke përshëndetur gjithashtu bashkimin e Mbretërisë së Bashkuar në Bordin e RCC-së.

Në Londër u konfirmua miratimi i të gjitha 15 rezultateve nga liderët e rajonit, pas dakordësive të arritura më herët në Dubrovnik dhe Londër gjatë takimeve ministrore për Agjendën e Gjelbër dhe ekonominë.

Kapetanoviç theksoi se 82% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor besojnë se bashkëpunimi rajonal sjell rezultate të prekshme në ekonomi, siguri dhe politikë, prandaj “zbatimi i angazhimeve të këtij viti duhet të jetë prioritet”.

Në kuadër të Samitit, kreu i RCC-së zhvilloi një takim me Borjana Krišto, kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, për të diskutuar hapat konkretë për implementimin e iniciativave rajonale.

Një broshurë me të gjitha 15 rezultatet është tashmë e disponueshme për publikun.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb