Belinda Balluku mburrej në çdo dalje publike si ministre e Infrastrukturës për “cilësinë europiane” të rrugëve që kushtonin miliona euro, për standardet e tyre, për kontrollin dhe investimet model.
Për ironi të fatit, pikërisht në momentin kur ministrja u mor e pandehur nga SPAK me akuzën për “abuzim me tenderat” e teksa maxhoranca po luan çdo kartë për ta mbrojtur, nisën të shfaqeshin edhe krisjet reale në terren.
Me sa duket, koha dha verdiktin e saj më parë se drejtësia.
Rrugët “e florinjta” po shemben dhe tunelet pikojnë ujë.
Simboli më i dukshëm është aksi Librazhd-Prrenjas, një arterie kyçe e rrjetit rrugor, që po fundoset çdo ditë sikur të kishte ndodhur një apokalips. Segmentet e dëmtuara nuk janë më thjesht problem teknik. Ato janë dëshmia konkrete e një modeli që premtoi standarde europiane dhe prodhoi pasiguri rrugore.
Rrugët nuk mashtrojnë. Kur ato çahen, rrëshqasin dhe kthehen në rrezik për qytetarët, nuk kemi të bëjmë me “fatkeqësi natyrore”, por me projekte të dobëta, mbikëqyrje formale vetëm për show televiziv dhe para publike të shpërdoruara ose të vjedhura. Monitorimi i mangët gjeologjik, ndërhyrjet brutale e pa kontroll në natyrë dhe mungesa e masave mbrojtëse po lëshojnë sot faturën e tyre.
Pasojat po ndihen përtej asfaltit. Juglindja rrezikon izolim real, bizneset dëmtohen, tregtia ngadalësohet, kostot dhe çmimet rriten. Qytetarët po gjejnë alternativa lëvizjeje, deri te përdorimi i rrugës romake mbi 2000-vjeçare, Egnatia, e cila ironikisht duket më e qëndrueshme se investimet miliona euro.
Balluku reklamonte një epokë të re në infrastrukturë, por historia nuk gjykon nga fjalët. Ajo gjykon nga gjurmët që mbeten. Mund të ndërtohen narrativa, të fryhen shifra, të priten shirita përurimesh, por kur toka hapet dhe asfalti çahet, e vërteta del në sipërfaqe dhe nuk kursen askënd. Ajo nxjerr zbuluar përballë përgjegjësisë ata që premtuan cilësi, por lanë pas rrugë të dështuara, pasiguri publike dhe besimin e thyer të qytetarëve.
