Aktivistja Rezarta Çaushaj, e ftuar në studion e emisionit “Log.” në News24, ka komentuar protestën e sotme para Kryeministrisë, duke shprehur qartë skepticizmin e saj mbi efektin e aksioneve të Partisë Demokratike nëse kjo forcë politike nuk i nënshtrohet më parë një reformimi të thellë të brendshëm.
Në prononcimin e saj, Çaushaj u shpreh se largimi i ministres Belinda Balluku është i domosdoshëm, por sipas saj thelbi i problemit shkon përtej një individi. “Patjetër që Balluku duhet të ikë. Ne e dimë që çdo projekt në këtë vend bëhet për të ndarë para, jo sepse ka një vizion zhvillimi,” deklaroi ajo, duke theksuar mungesën e transparencës dhe integritetit në proceset vendimmarrëse.
Megjithatë, sipas saj, opozita nuk mund të pretendojë të drejtojë aksione të suksesshme pa adresuar dobësitë brenda vetes. “Asnjë aksion i PD nuk do ketë sukses nëse PD nuk reformohet vetë,” u shpreh aktivistja, duke kërkuar që partia të ndërtojë struktura funksionale dhe të rekrutojë liderë lokalë me impakt të vërtetë në publik.
Ajo theksoi se reforma e brendshme duhet të jetë prioritet absolut i demokratëve: “Duhet ta marrë vesh i madh e i vogël, dhe ky duhet të jetë aksioni i madh i PD.”
