Analisti Shpend Gashi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me çështjen Balluku dhe reagimet e kryeministrit.
Sipas Gashit, Belinda Balluku përbën “thembrën e Akilit” për kryeministrin Edi Rama. “Kur janë goditur të tjerë, Rama nuk ka pasur këtë reagim. Tani ka ndryshuar krejtësisht sjelljen politike në mënyrë ekstreme. Pse është gjithë ky kalim?” u shpreh ai.
Analisti u ndal edhe te simbolika politike, duke përmendur momentet kur, sipas tij, në mbledhjet e grupit parlamentar, Balluku ka shfaqur mbështetje të hapur ndaj deklaratave të Ramës. “Politika është edhe simbolikë. Kur Rama thoshte se ajo i ka dorëzuar tri herë dorëheqjen dhe ai e ka refuzuar, mënyra si e shihte ajo ishte domethënëse,” deklaroi Gashi.
Ai ngriti pikëpyetje mbi qëndrimin e kryeministrit ndaj një ministri që ndodhet nën hetim. “Kush është ky zotëri që thotë se e di ai kur janë kushtet që duhet të pezullohet një ministre e cila është në hetim dhe prezumohet e korruptuar?” tha analisti.
Duke iu referuar pretendimeve për mungesë fondesh në tendera rrugësh, Gashi theksoi se bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme. “Pyetja që bëhet është: mungojnë 300 milionë euro në tenderat për rrugët. Këtu është vjedhur diçka, është vjedhur fondi,” u shpreh ai.
Në përfundim, Gashi deklaroi se, sipas tij, çështja duhet të hetohet plotësisht dhe përgjegjësit të japin llogari përpara drejtësisë. Ai theksoi se çdo zyrtar i lartë i dyshuar duhet të përballet me proces të rregullt ligjor dhe transparencë ndaj publikut.
