Gazetari Almer Toska, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te çështja që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë për imunitetin e saj.
Gjatë analizës së tij, Toska ngriti akuza të forta për institucionet që sipas tij janë drejtuar nga Balluku, duke pretenduar se ato janë përfshirë në afera të mëdha financiare.
“Institucionet që ka drejtuar Balluku kanë mal me afera. Ceno Klosi, ish-drejtor i Tatimeve, ka 30 milionë euro abuzime. Klevis Jahaj, 100 milionë euro abuzime me ujësjellësat. Këta janë njerëzit e Ballukut,” u shpreh gazetari.
Ai përmendi gjithashtu edhe sektorin e energjisë, duke pretenduar se disa drejtues të institucioneve kanë dhënë tendera me vlera të mëdha. “Kalojmë te energjia, Blendian Dalipi, drejtor i OSSH, i ka dhënë babait të vet 30 milionë euro tendera, Skerdi Drenova ka dhënë miliona euro tendera. Te këta hajdutët e vegjël janë paratë,” tha Toska.
Gazetari u ndal edhe te projekti i Porto Romanos, që lidhet me ndërtimin e një porti të ri në kuadër të zhvillimit të Porti i Durrësit. Sipas tij, për këtë projekt kanë konkurruar disa kompani ndërkombëtare, ndërsa janë ngritur shqetësime për mënyrën e zhvillimit të tenderit.
“Porto Romano është një port i ri meqë do investohet në portin e Durrësit. Në këtë port kanë konkurruar pesë kompani ndër më të mirat dhe është shpallur fituese një kompani greke që përfundon në para ruse,” deklaroi Toska.
Ai pretendoi gjithashtu se për këtë çështje ka pasur reagime nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri, ndërsa sipas tij edhe SPAK ka nisur hetime.
“SPAK ka nisur një hetim dhe po heton çështjen e Porto Romanos dhe sot është anuluar faza e parë pas këtij presioni me vlerë 420 milionë euro,” tha gazetari.
Në vijim, Toska pretendoi se disa kompani ndërkombëtare janë skualifikuar nga gara për ndërtimin e portit, duke ngritur dyshime për mënyrën e zhvillimit të procesit. “Vijnë kompanitë më të mira të ndërtimit të porteve dhe Balluku thotë jo, do i ndërtojë kompania greke që të vjedh unë. E ka skualifikuar kompaninë holandeze pasi i ka kërkuar 100 milionë euro,” u shpreh ai.
