Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi nga afër ecurinë e punimeve  në lotin 3 të rrugës Porto Romano-Durrës si dhe respektimin e afateve kontraktuale për dorëzimin e kësaj vepre. Ministrja Balluku theksoi se investimi që po bëhet në infrastrukturë i përgjigjet zhvillimit të zonës, si nga ana industriale përmes projekteve që janë parashikuar, ashtu edhe nga ana urbane.

“E gjithë zona ka një plan zhvillimi, i cili është plan industrial. Në zonën e Spitallës ne kemi përfunduar procedurën, është firmosur edhe kontrata, përsa i përket ndërtimit të parkut të dytë fotovoltaik më të madh në vend, atë të Spitallës i fituar nga kompania franceze Voltalia me 100 megavat, ku shteti do të përfitojë 70 megavat nga e gjithë sasia. Ndërkohë janë 60 hektarë, të destinuara për të kryer funksionet e përpunimit të të gjitha mallrave, që do të vijnë nga porti i ri, i cili do të lidhet me anë të kësaj rruge por edhe me anë të një linje të dedikuar hekurudhore. Nga ana tjetër, pjesa e Eco Parkut tani duke mbyllur të gjithë landfillin që ka qenë jashtë kontrollit për vite të tëra edhe duke krijuar edhe mundësinë e përmirësimit të mjedisit këtu, do t’i japë mundësinë qytetit të Durrësit të zhvillohet edhe nga ana urbane në këtë zonë”, u shpreh Balluku.

Rruga do të jetë e kategorisë A duke krijuar kështu mundësinë për të përballuar trafikun e automjeteve të cilat parashikohet të kalojnë në të, ndërsa është bërë e mundur edhe ndërhyrja në kanalet kulluese për të evituar përmbytjet në zonë.

“Ajo që për ne është shumë e rëndësishme, është që të ruhen afatet kontraktuale dhe në fund të shtatorit ne të kemi këtë vepër të dorëzuar, në funksion të automjeteve dhe të qytetarëve që kërkojnë ta aksesojnë”, shtoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Aksi rrugor Porto Romano-Durrës ka një gjatësi totale prej 8.16 kilometrash. Dy lotet e para të kësaj vepre kanë përfunduar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb