Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke ngritur akuza dhe dyshime të forta për raportin e saj me kryeministrin Edi Rama dhe zhvillimet brenda mazhorancës.

Sipas Toskës, ekzistojnë indicie që Balluku ka ushtruar presion dhe madje shantazh ndaj Ramës, përmes komunikimeve që ajo dyshohet se i zotëron me kryeministrin dhe persona pranë tij. Ai pretendoi se Balluku është zgjedhur nga Rama si personi që firmoste vendime në emër të tij, duke marrë mbi vete riskun e vendimmarrjeve që, sipas gazetarit, lidhen me përfitime financiare.

“Pyeteni Ramën kur ka firmosur për herë të fundit një vendim qeverie, shumicën i ka firmosur Balluku”, deklaroi Toska, duke shtuar se ky rol, sipas tij, ka një “çmim” që po shfaqet tani.

Gazetari ngriti gjithashtu pretendime se Balluku dyshohet të ketë kontraktuar një kompani që ka përdorur pajisje përgjimi, përfshirë edhe pajisje të tipit IMSI Catcher, duke theksuar se këto dyshime kanë shqetësuar partnerët ndërkombëtarë. Sipas tij, ndërkombëtarët janë të informuar edhe për pretendimet mbi lidhje të saj me krimin e organizuar.

Toska e lidhi zhvillimin e sotëm edhe me përplasjet e brendshme në Partinë Socialiste, duke thënë se rënia e dy figurave rivale në të njëjtën ditë nuk është rastësi. Ai pretendoi se Balluku ka qenë e qetë në publik, por sipas tij, është “verbëruar nga paratë” e përfituara përmes korrupsionit.

“Kur dy grupet që përplaseshin fort në PS, Agasi dhe Balluku, kanë rënë në të njëjtën ditë, pra sot. Kur sot Balluku hapte shishen e shampanjës kur i ra kundërshtari, ra edhe vetë sot pasdite”, tha ai.

“Nuk mund të legjitimohet mbrojtja e Ballukut”, u shpreh Toska, duke shtuar akuza të rënda për përfitime financiare në shifra shumë të larta dhe bashkëpunim me krimin e organizuar, akuza të cilat mbeten pretendime personale të gazetarit dhe nuk janë të konfirmuara nga organet e drejtësisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb