Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka ashpërsuar akuzat ndaj qeverisë, duke deklaruar se të gjitha dosjet hetimore çojnë te kryeministri Edi Rama dhe familjarët e tij. Komentet Vokshi i bëri e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ku foli për zhvillimet e fundit politike dhe kërkesën e SPAK për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas Vokshit, vendi ndodhet përballë një niveli “marramendës” korrupsioni dhe përfshirjeje të krimit të organizuar në qeverisje. Ajo përmendi si shembuj dosjen e AKSHI-t dhe atë të tunelit të Llogarasë, të cilat, sipas saj, përfaqësojnë qartë mënyrën se si qeveriset vendi.
“Të gjitha dosjet të çojnë te Edi Rama dhe familja e tij, te gruaja apo te baxhanaku. Ka korrupsion marramendës dhe krim të organizuar. Dosja e AKSHI-t dhe ajo e tunelit të Llogarasë me Belinda Ballukun janë pasqyra e kësaj qeverisjeje,” u shpreh Vokshi.
Duke u ndalur te situata e zëvendëskryeministres Balluku, deputetja demokrate deklaroi se ajo është politikisht e rrëzuar dhe në ditët e fundit të qëndrimit në detyrë. “Balluku e ka marrë rrugën, është e rënë. Ka vetëm edhe pak oksigjen për disa ditë, por është e rënë,” tha ajo.
