Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar ndryshimet e shumta në qeveri, të konfirmuara rreth një orë më parë, duke bërë publike, sipas tij, detaje nga dosja e SPAK për Belinda Balluku, për të cilën prokuroria ka kërkuar arrestimin.
Ai ngriti dyshime mbi emërimet e reja në qeveri, duke pretenduar se disa prej tyre rezultojnë nën hetim nga SPAK.
“Po t’i kërkosh gjysmat e këtyre që ka emëruar sot, po të shohësh në BalkanWeb, janë edhe ata nën hetim nga SPAK. Pse e ka bërë Rama këtë? E parashikuan prokurorët”, u shpreh Bardhi.
Sipas tij, prokurorët e SPAK, në përgjigje të deputetëve të PS që kishin kundërshtuar rëndimin e masave ndaj Ballukut në mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve, kanë argumentuar se ajo ka emëruar pjesën dërrmuese të zyrtarëve të lartë të administratës publike. Për këtë arsye, sipas Bardhit, prokurorët thanë se largimi i saj nga detyra nuk do të shmangte rrezikun e prishjes së provave apo intimidimit të dëshmitarëve.
“Prokurorët kanë thënë se zonja Balluku ka emëruar drejtuesit në institucionet ku po hetohet dhe për këtë arsye kërkohet arrest, në mënyrë që ajo të mos ketë komunikim me këta zyrtarë, sepse mund të urdhërojë dhe ata do ta zbatojnë”, deklaroi Bardhi.
Ai u ndal edhe te emërimi i Enea Karakaçit si pasardhës i Ballukut në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës, duke pretenduar se ai është promovuar dhe emëruar më herët nga Balluku.
