Ish-deputetja e PD, Dhurata Çupi e quajti fitore në luftën kundër korrupsionit marrjen e zv/kryeministres Belinda Balluku nën hetim nga SPAK, për abuzime me tenderat.
E ftuar në programin e drekës në News24, drejtoresha e Përgjithshme e “Focus Media News”, Dhurata Çupi tha se duke u vënë para drejtësisë zyrtarët e lartë luftohet pandëshkueshmëria dhe minimizohet abuzimi me pushtetin dhe taksat e qytetarëve.
Ajo tha se 2 zv/kryeministra, disa ministra, kryebashkiakë dhe drejtues të tjerë janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe po përballen me çështje gjyqësore, ç’ka tregon përmasat e abuzimit në nivelet e qeverisjes.
“Është fitore e qytetarëve së pari në luftën kundër korrupsionit. Duke hetuar 2 zv/kryeministra, ministra, duke hetuar kryetarë bashkish patjetër që do të minimizohet edhe efekti i abuzimit me tenderit me buxhetin e shtetit.
Duke hetuar znj.Balluku, z.Ahmetaj, ministrat i jep një përgjigje të mirë pandëshkueshmërisë në vendin tonë ku zyrtarët e lartë duhet të mendojnë 2 herë firmën, duhet të mendojë 2 herë korrupsionin, që duke qëndruar në karrige nuk duhet të abuzojnë me atë karrige, nuk duhet të abuzojnë me taksat e qytetarëve”, u shpreh Çupi.
“Nuk ka dëshpërim më të madh për një vend si Shqipëria se nuk jemi me shumë miliona, ato miliona që ishim qytetarët do të duhet të kontribuonin për ta rritur dhe për ta bërë më të mirë Shqipërinë, kontribuojnë për vendet e tjera. Pra, këtë e ka sjellë edhe korrupsioni i rritur, varfëria e shtuar, abuzimi me pronat, me buxhetin me taksat. Këtu kemi një shtet të rënduar, një shtet të pasur nga njëra anë dhe qytetarë të varfër nga ana tjetër”, vijoi Çupi.
“Ne kemi një realitet sot. PS qëndron sot në pushtet jo me votat e shqiptarëve, qëndron në pushtet me deformimin e rezultateve zgjedhore, mbaj pushtet, deformo rezultatin zgjedhor dhe merre pushtetin me dhunë… Patjetër shqiptarët e kanë pritur dhe e presin çdo ndëshkim të korrupsionit me pozitivitet. Nuk mundet më të vazhdohet. Ne nuk kemi asnjë shans të jemi pjesë e BE ku niveli i korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri është si asnjëherë më parë…”, shtoi më tej ish-deputetja e PD.
