Gazetari Artan Hoxha ka deklaruar se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ndodhet përballë një situate të pakthyeshme, teksa hetimet e SPAK ndaj saj, sipas tij, janë vetëm në fazën fillestare. Hoxha i bëri këto komente i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ku analizoi zhvillimet e fundit politike dhe hetimore në vend.

Sipas gazetarit, përmasat e çështjes janë aq të mëdha sa Balluku nuk mund të fshihet dhe askush nuk merr përsipër ta mbrojë. “Balluku nuk ka ku të fshihet, nuk e merr njeri përsipër ta fshehë. Është kaq e madhe sa kudo që shkel ajo kërcet. Ka hyrë elefanti në dyqanin e qelqurinave,” u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se ajo që është bërë publike deri tani përfaqëson vetëm fillimin e hetimeve, ndërsa zhvillimet e ardhshme pritet të jenë edhe më të rënda. Hoxha përmendi si shembull kontratat e termocentraleve lundruese në Vlorë, duke theksuar se vetëm qiraja e tyre arrin në rreth 90 mijë euro në ditë. “Nuk kemi shkuar ende aty,” tha ai, duke lënë të kuptohet se hetimet mund të zgjerojnë ndjeshëm objektin e tyre.

Në përfundim, gazetari e përshkroi situatën e Ballukut si një zgjedhje mes dy skenarëve ekstremë. “Balluku sot mund të zgjedhë një tmerr pa fund ose një fund të tmerrshëm. Tmerri pa fund është rruga ku përpiqesh të shpëtosh, por zhytësh edhe më shumë. Fundi i tmerrshëm është dorëzimi i menjëhershëm dhe arrestimi,” deklaroi Artan Hoxha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb