Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në një konferencë për shtyp po sqaron provat që ka dërguar në SPAK ditën e djeshme për abuzimet nga zv kryeministrja Belinda Balluku. Bardhi foli lidhur me aferën e Termocentraleve lëvizës, duke e cilësuar atë si një skandal të rëndë të përfshirë në korrupsion.
Kjo aferë ka dëmtuar rëndë buxhetin e shtetit, sipas tij dhe ka shpenzuar padrejtësisht 80 milionë euro të shqiptarëve. Ai ka kërkuar hetim penal nga SPAK, duke theksuar disa elemente shqetësuese, si mungesën e arsyeve të emergjencës, deklaratat kontradiktore të ministrës Belinda Balluku, dhe procedurat e tenderimit të dyshimta që favorizuan një operator të paracaktuar.
Bardhi ka nxjerrë në pah faktin se kompania fituese, ‘Excelarate Energy”, ishte njoftuar për fitoren e tenderit që në muajin janar, ndërkohë që tenderi formalisht ishte ende i hapur.
Sipas tij, ky është një shembull tjetër i pastrimit të parave publike për interesa politike, duke përjashtuar çdo mundësi për një proces të drejtë dhe transparent.
“Do të përpiqem të shpjegoj me fjalë sa më të thjeshta pse, nën drejtimin e Belinda Ballukut, afera e Termocentraleve lëvizës, bie era korrupsion dhe pse i kam kërkuar SPAK-ut të kryejë hetim penal për këtë aferë që u ka marrë padrejtësisht shqiptarëve të paktën 80 milionë euro.
Së pari, vendi nuk ishte në kushtet e emergjencës. Kryeministri nuk ka marrë në rrugë zyrtare asnjë njoftim për mungesa afatgjata të burimeve për prodhimin e energjisë elektrike.
Së dyti, ministrja Balluku është shprehur publikisht se anijet lëvizëse termike do të prodhonin energji vetëm pas 2 vitesh, duke rrëzuar arsyen e emergjencës për të cilën qeveria u investua me vendim të posaçëm.
Së treti, KESH zhvilloi procedura kaotike me afatet e tenderit për asetin gjenerues termik, të cilat ishin të ndryshme në shqip dhe në anglisht. Dhe ishin jo vetëm të ndryshme, por edhe shumë të shkurtra, me qëllim favorizimin e një operatori të paracaktuar nga shefat politikë.
Po qendroj pak tek afatet për të dhënë një informacion tjetër që provon se jo vetëm gjoja gara e hapur nga KESH, por edhe vendimi i qeverisë për të autorizuar KESH-in në këtë procedurë kanë qenë fiktivë, sepse fituesi ishte i paracaktuar.
Kompania fituese Excelarate Energy, në regjistrat zyrtarë amerikanë, ka referuar që në Janar se ishte njoftuar nga shteti shqiptar për shpalljen fituese. Pra, ndërkohë që tenderi në Shqipëri ishte ende i hapur formalisht, kompania ka njoftuar autoritetet përkatëse amerikane se e kishte fituar atë. Pala shqiptare, e përfaqësuar nga Belinda Balluku, e shpalli fituesin në mars 2022.
Besoj se askush nuk ka ndonjë dyshim se Belinda Balluku dhe ligji janë dy pika që nuk takohen askund”, tha ai.
“Emri i Belinda Ballukut është bërë sinonim i korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin. Nuk ka asnjë rast, në asnjë vepër të rëndësishme, që firma e saj të mos ngrejë dyshim për shpërdorim të parave publike dhe përfitim personal sipas një skenari të paracaktuar“, tha Bardhi.
(BalkanWeb)
