Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi në Parlament mazhorancën socialiste se po bllokon drejtësinë, duke refuzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Gjatë fjalës së tij, Berisha iu drejtua deputetëve socialistë duke i akuzuar se po mbrojnë korrupsionin, ndërsa theksoi se, sipas tij, Balluku u ka shkaktuar shqiptarëve një dëm prej 1.2 miliardë eurosh.
Për të ilustruar, sipas tij, mënyrën se si mazhoranca po mbron korrupsionin dhe po vepron vetëm si zbatuese urdhrash, Berisha solli një shembull nga filozofia, duke cituar mendimin e filozofes gjermane Hannah Arendt.
“Sot dua t’ju sjell konstatimin e filozofes gjermane Hannah Arendt. Në vitet ’60, ajo ndoqi gjyqin e Eichmann-it, një nazist që kishte përcjellë miliona hebrenj drejt furrave të djegies. Pas ndjekjes së seancave gjyqësore, ajo arriti në përfundimin se kishte të bënte me ‘të keqen banale’. Sipas saj, ai nuk ishte një përbindësh, por një automat që zbatonte urdhra. Kështu lindi doktrina e së keqes banale, e cila sot mishërohet tek ju, që në mënyrë të verbër mbështesni korrupsionin dhe shndërroheni në shtylla të një sistemi që u pi gjakun qytetarëve”, deklaroi Berisha.
Në vijim, ai akuzoi mazhorancën se po pengon heqjen e imunitetit të një zyrtareje që, sipas tij, përmes dosjeve hetimore dhe me mbështetjen e eprorit të saj, u ka vjedhur shqiptarëve të paktën 1.2 miliardë euro.
