Përleshje me policinë ndodhën në një demonstratë të re antiqeveritare në Tiranë, të organizuar nga opozita nën drejtimin e Sali Berishës, me dhjetëra të plagosur dhe të ndaluar, ndërsa klima politike në Shqipëri mbeti veçanërisht e tensionuar.
Kështu e ka nisur media greke Newsbomb.gr artikullin e saj në lidhje me atë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në kryeqytetin shqiptar, në protestën e opozitës që përfundoi me molotovë, gaz lotësjellës dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.
“Një demonstratë e re antiqeveritare, gjatë së cilës shpërthyen incidente midis protestuesve dhe policisë, u zhvillua të martën në mbrëmje në Tiranë. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, në ndërtesat qeveritare dhe Parlamentin e Shqipërisë u hodhën gurë dhe kokteje molotovi.
Policia njoftoi se të paktën 16 anëtarë të saj u plagosën, ndërsa 13 persona u arrestuan gjatë demonstratës, e cila u thirr nga ish-kryeministri i krahut të djathtë, një figurë dominuese e opozitës, Sali Berisha, një kundërshtar historik i socialistëve të kryeministrit aktual Edi Rama. Mbështetësit e Berishës kishin marrë pjesë në një demonstratë në fund të muajit të kaluar, të shtunën, më 24 janar. Edhe kjo demonstratë u shënua nga përleshje midis mbështetësve të tij dhe policisë.
Duke mbajtur pankarta me slogane të tilla si “Shqipëria, një vend me një parti”, apo pankarta me foto e Ramës dhe zëvendës kryeministres Belinda Balluku e cila akuzohet për korrupsion, mbështetësit e opozitës u mblodhën mbrëmë në qendër të kryeqytetit shqiptar.
Trazirat shpërthyen shpejt, ndërsa një pjesë e turmës hodhi kokteje Molotov, gurë dhe bomba tymi drejt ndërtesave të qeverisë dhe Parlamentit, të cilat ruheshin nga forca të forta policore.
Berisha raportoi mbrëmë se një deputet nga partia e tij u plagos dhe u shtrua në spital.
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu akuzoi protestuesit që shkaktuan incidentet se i përkisnin “krimit të organizuar”.
Jeta politike shqiptare është karakterizuar për dekada të tëra nga tensione, konflikte, madje edhe brenda Parlamentit, dhe akuza të ndërsjella midis dy partive në pushtet, qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë, për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
81-vjeçari Berisha është akuzuar personalisht për prokurim publik të paligjshëm, diçka që ai e ka mohuar kategorikisht.
Ndërkohë, qeveria e Ramës është e përfshirë nga skandalet. Të premten, Gjykata Kushtetuese konfirmoi shkarkimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, një bashkëpunëtore e ngushtë e Kryeministrit Rama, për shkak të rolit të saj të dyshuar në një rast korrupsioni, i cili në këtë rast lidhet edhe me dhënien e tenderave.
Sali Berisha ka bërë thirrje për një tubim të ri më 20 shkurt”, thuhet në artikull.
