Ervin Salianji ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) është ndikuar nga grupe kriminale dhe se institucionet shtetërore nuk kanë vepruar për të parandaluar abuzimet e pretenduara.

Gjatë një interviste në emisionin “Prime News24” në News24, Salianji e cilësoi situatën si një nga skandalet më të rënda, duke ia atribuar përgjegjësinë politike kryeministrit Rama.

Ai u ndal te emërimi i Vlora Hysenit në krye të SHISH-it, duke thënë se e kishte kundërshtuar këtë emërim që në vitin 2023, gjatë diskutimeve në Komisionin e Sigurisë. Salianji përmendi gjithashtu dëshminë e saj në kuadër të hetimeve parlamentare për sistemin TIMS.

Sipas tij, një grup personash, mes të cilëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, si dhe individë të lidhur me kompaninë “Soft Solution”, dyshohet se kanë pasur ndikim në funksionimin e sistemit TIMS dhe në strukturat drejtuese të institucioneve shtetërore.

Salianji tha se sistemi është përdorur për të favorizuar persona të caktuar të krimit të organizuar, duke u mundësuar atyre shmangien e kontrolleve në kufi. Ai iu referua edhe dëshmive të dhëna në Komisionin për çështjen TIMS, duke theksuar se, sipas tij, disa prej pretendimeve nuk janë hetuar plotësisht nga SPAK-u.

“Nëse ka një skandal të padëgjuar në botë, se në Shqipëri çfarë nuk kemi dëgjuar është  skandali i kapjes së SHISH nga grupet kriminale. Dhe këtu përgjegjësia është e Edi Ramës. Këtu nuk kemi një kryetare SHISH që pati histori rozë, me dikë dhe shkeli ligjin, por kemi emërimin e një grupi drejtuesish të administratës shtetërore nga Ergys Agasi që ishte koordinator i Edi Ramës për marrëdhëniet me krimin. Emërimi në krye të SHISH i Vlora Hysenit që e kam denoncuar që në vitin 2023 në komisionin e Sigurisë dhe më pas e kam pasur si dëshmitare të komisionit TIMS, ku po i njëjti grupim i përbërë nga Ermal Beqiri, “soft solution”, Ergys Agasi dhe gjithë strukturë drejtuese e Policisë së Shtetit dhe bashkë me mbështetjen e SHISH, ka shitur të dhënat e TIMS, unë këtë nuk di ta them, por di të them një dëshmi që kanë qenë ndër më të rëndat dhe ka mbetur pa hetuar nga SPAK, pavarësisht se edhe nga burgi i ka çuar shkresë zotit Dumani në atë kohë. Drejtori i departamentit të IT në Policinë e Shtetit ka thënë që ky grupim ka bërë të mundur që në sistemin TIMS nëpërmjet ndërhyrjeve në sistemin qendror për persona të caktuar të krimit të organizuar, pavarësisht se depozitohej pasaporta në pikën e kalimit kufitar, sistemi funksiononte zero. Dhe këta e kanë përdorur sistemin për të ndihmuar dhe shpërblyer grupe të krimit të organizuar, këta i kanë përdorur edhe për të shantazhuar grupe të tjera kriminale. SHISH ndryshe nga çfarë është një perceptim që merret me gjëra kot, SHISH ka informacione të plota për çdo personazh të krimit të organizuar apo të personave…që i disponon…Dhe janë informacione të domosdoshme për shtetit. SHISH që duhet të ndihmojë Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë për të gjetur dhe persona që janë në kërkim, jo vetëm ndihmon personat që janë në kërkim por edhe i shmang, edhe nga ndjekja penale. Këtu kemi rënien e shteti. Kemi rastin e Ballukut që ta mban ky me vullnet politik në krye të qeverisë”, tha ndër të tjera ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb