Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, ka bërë publike të tjera prapaskena bombastike mbi hetimet që Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po zhvillon ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas gazetarit, hetimi që zgjat prej më shumë se një viti e gjysmë ka zbardhur të dhëna të reja tronditëse rreth hapësirës së pasurisë së fshehur dhe abuzimeve financiare.
“Jemi përballë faktit që mbi 1 miliard euro nga taksat janë shpërdoruar nga Balluku dhe ministrat e saj. Kemi një hetim prej thuajse 1.5 viti nga SPAK lidhur me provat dhe gjithë aksiomën e korrupsionit që ka ndërtuar ajo. Balluku nuk lëshon pe,” deklaroi Toska.
Gjatë fjalës së tij, gazetari zbuloi se organet e hetimit kanë rënë në gjurmët e disa pasurive të paluajtshme luksoze brenda dhe jashtë vendit, të cilat dyshohet se administrohen përmes emrave fiktivë.
“SPAK ka disa zhvillime të reja që faktojnë korrupsionin galopant. Është zbuluar vila e tretë e Ballukut në Sardenja të Italisë. Por SPAK ka zbuluar edhe diçka më të madhe: 4 vila të tjera, dy në Dubai dhe dy në Spanjë. Aktualisht Ballukut i janë faktuar 7 vila; 3 prej të cilave në emër të Igli Tarës, ndërsa për 4 të tjerat pritet të zbulohet pronari fals që i administron,” u shpreh gazetari, duke shtuar se kjo përbën vetëm një pjesë të vogël të pasurisë totale të pretenduar edhe nga opozita.
Toska hodhi akuza të drejtpërdrejta edhe për ndërhyrje e presione politike ndaj prokurorit të çështjes, Dritan Prençi, me qëllim shtyrjen e masës së arrestit ndaj ish-zv.kryeministres.
“Fijet brenda politikës dhe SPAK që kontrollohen nga Balluku dhe Rama po i bëjnë presion shumë të fortë prokurorit Prençi të çështjes, që të vonojë kërkesën për arrestimin e Ballukut. Dihet një fakt: Rama në një takim me drejtues të lartë gjermanë dhe me Von der Leyen u ka premtuar se, nëse drejtësia i sjell kërkesën me fakte, ai është gati ta lëshojë Ballukun. Ndërkohë po lufton me fijet e tij brenda SPAK që kjo kërkesë të shtyhet sa më shumë për të fituar kohë,” përfundoi Almer Toska.
Në vijim të deklaratave të tij tronditëse mbi hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj Ballukut Toska ka paralajmëruar lëvizje vendimtare nga ana e drejtësisë brenda këtij muaji.
Sipas Toskës, prokurori i çështjes Dritan Prençi është drejt finalizimit të dosjes hetimore dhe pritet t’i drejtohet zyrtarisht Gjykatës së Posaçme dhe Parlamentit për marrjen e autorizimit për arrestimin e ish-zv.kryeministres.
“Mendoj se javën që vjen prokurori i çështjes do dorëzojë pranë GJKKO-së të gjithë hetimin e kryer dhe do kërkojë me faktet që ka mbledhur heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut! Mbase nuk është javën që vjen fiks, por brenda këtyre dy javëve të ardhshme, brenda muajit tetor. Brenda tetorit SPAK i çon kërkesën Parlamentit për heqjen e imunitetit të Ballukut, përndryshe do kemi një goditje të rëndë për besueshmërinë ndaj drejtësisë dhe në raportin me ndërkombëtarët,” deklaroi gazetari.
