Lituania do të shpallë “gjendje emergjente kombëtare” për shkak të incidenteve me balona ilegale që vijnë nga Bjellorusia, njoftoi kryeministrja e vendit.

Ajo tha: “Po përgatisim tani bazën ligjore dhe dokumentet e nevojshme”, duke e cilësuar shpalljen e gjendjes emergjente si “masën më të mirë që mund të merret në këtë moment”.
Kryeministrja Inga Ruginienė shtoi se kjo do të lejojë qeverinë dhe autoritetet lokale të dedikojnë më shumë burime për të luftuar këto balona. “Nuk e përjashtojmë mundësinë e marrjes së masave të tjera”, theksoi ajo, duke shpjeguar se gjendja emergjente pritet të shpallet javën e ardhshme.

Për shkak të “invazionit” të balonave që vijnë nga Bjellorusia, dy aeroporte të mëdha të Lituanisë, ato në Vilnius dhe Kaunas, kanë qenë të detyruara të pezullonin operacionet e tyre disa herë.

Autoritetet lituaneze pohojnë se këto balona, që fluturojnë deri në 10 kilometra lartësi, dërgohen qëllimisht në rrugët ajrore të aeroporteve dhe përbëjnë një kërcënim ndaj aviacionit civil.

Edhe pse balonat janë përdorur prej kohësh për transportin ilegal të cigareve nga kontrabandistë, muajt e fundit ato kanë shkaktuar mbyllje të aeroporteve.
Ky shtet baltik, anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian, ka akuzuar për një kohë të gjatë Bjellorusinë, aleate të ngushtë të Rusisë, se po kryen një “luftë hibride”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb