ITALI- Trajneri i Kombëtares së Italisë, Roberto Mancini ka sqaruar vendimin për lënien jashtë grumbullimit të Mario Balotellit dhe Andrea Belottit në dy ndeshjet e radhës të Azzurrëve.

Tekniku i Kombëtares para pak ditësh publikoi listën me 28 futbollistë, të cilët do të jenë në dispozicion të trajnerit në dy sfidat e ardhshme.

Surpriza dhe risia më e madhe ishte grumbullimi i  sulmuesit Sebastian Giovinco, i cili prej vitesh nuk grumbullohet në radhët e Kombëtares së Italisë. Krahas suprizave në formacion, ka patur edhe vendime të cilat nuk janë pritur mirë të paktën nga një pjesë e tifozëve, ndërsa Balotelli dhe Belotti janë lënë jashtë, por Mancini ka folur rreth kësaj  skeme të përzgjedhur.

“Të dy janë sulmues të mirë, pjesë të kombëtares dhe me karakteristika të ndryshme, por që mund të na bëjnë shumë punë. Por, këtë herë ata nuk janë në formën më të mirë, ndaj lënia jashtë ishte një zgjedhje teknike”, tha ai.

Trajneri la të kuptohet se gjendja e tyre nuk është e mirë, ndërsa theksoi se sapo të jenë në formën e duhur do të gjejnë vend në Kombëtare. “Kur të jenë më mirë, patjetër që do të ftohen dhe do të kontribuojnë për kombëtaren”, shtoi Mancini.

Italia do të përballet me Ukrainën në një ndeshje miqësore më 10 tetor, ndërsa katër ditë më vonë në Ligën e Kombeve do të ndeshet me Kombëtaren e Polonisë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb