TIRANE- Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala e ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e News 24 deklaroi se për finalizimin e aksionit ku u kap sasia më e madhe e kokainës e zbuluar ndonjëherë në Ballkan, plot 613 kg ka pasur bashkëpunim mes policisë e prokurorisë, institucione këto që deri pak kohë më parë kanë pasur përplasje.

“Kanë vepruar me shpejtësi rekord, policia dhe prokuroria kanë bashkëpunuar, kjo sasi e kapur tregoi se ka bashkëpunim dhe shumë të ngushtë. Gjatë gjithë ditës së djeshme është mbajtur nën vëzhgim anija ku ndodhej kontejneri, vetëm në momentin që kamioni hyri brenda rrethimit të firmës është vepruar nga policia. Por nëse do kishte dekonspirim, personat mund ta braktisnin”,- u shpreh Lala.

Lala dha sot të dhëna të reja edhe për administratorin e firmës ‘Arbi-Garden’ SHPK, Arbër Çekaj, i cili është shpallur tashmë në kërkim. Sipas saj, për të sjellë një sasi kaq të madhe droge në një vend duhen lidhje të forta dhe dyshohet që ky i fundit të ketë lidhje me eksponentë të lartë të mazhorancës.

“ Është vepruar shpejt nga policia për të arrestuar edhe administratorin Arbër Çekaj, biznesmen i njohur në disa fusha, në reklama apo veprimtari të ndryshme përveç tregtisë së bananeve, por deri më tani nuk kanë arritur ta gjejnë. Në banesnë e tij në Manzë nuk janë gjetur sende kompromentuese. Shumicën e kohës ai qëndronte në Gjermani. Pikërisht në Gjermani ka pasur dyshime edhe më herët se ishte i përfshirë në trafik droge, por mbeten vetëm dyshime. Po ashtu ka dyshime që ka lidhje me eksponentë të lartë të mazhorancës së sotme. Polica dhe prokuroria është shumë pranë atyre që konsiderohen peshqit e mëdhenj, pasi nuk mund të vijë një sasi e tillë pa pasur një mbështetje”,- tha gazetarja, siç raporton “BalkanWeb”.

(m.a/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb