Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes rubrikës së tij “Sy m’Sy” në rrjetet sociale në lidhje me hetimin e Prokurorisë për evazion fiskal ndaj kompanisë Bankers Petroleum. Rama u shpreh se është moment pozitiv që organi i akuzës po vepron në mënyrë të pavarur dhe shprehu mbështetjen e tij për këtë proces.

“Shyqyr që ka ardhur dita që Prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelën përkatëse që ka bërë këtë investigim. Uroj që të nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje ku realisht ka pasur shumë problematika,” u shpreh kreu i qeverisë.

Ai kujtoi gjithashtu çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar të fituar nga shteti shqiptar ndaj Bankers, ku kompania sipas tij i detyrohet Shqipërisë 240 milionë euro. Rama tha se ky koncesion i është trashëguar qeverisë aktuale nga administrata e mëparshme dhe se ka qenë një prej rasteve më problematike.

Ndërsa fliste për çështjen Bankers, Rama ndali edhe tek politikat e koncesioneve, duke bërë dallimin mes atyre të dhëna nga qeveritë paraardhëse dhe atyre të iniciuara nga administrata e tij. “Koncesionet që kemi dhënë janë në shërbim të popullit. Kanë bërë të mundur rrugën e Arbrit pa kosto për qytetarët, pastrimin e qyteteve tona me kosto minimale krahasuar me vendet e tjera, dhe sterilizimin e instrumenteve mjekësorë në spitale që ka ulur infeksionet post-operatore,” tha Rama.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb