Banorët e fshatit Imshtë në Lushnjë janë thirrur për deklaratë në Komisariatin e Policisë, pas kundërshtimeve ndaj një pretenduesi për tokë të blerë brenda argjinaturës.
Sipas burimeve, policia ka ndërhyrë pasi banorët kanë kundërshtuar tjetërsimin e tokave që ata i punojnë prej vitesh, duke theksuar se ligji nuk lejon kalimin në pronësi private të tokave që ndodhen brenda zonës së argjinaturës.
Banorët e Imshtës shprehen të vendosur për të mos lejuar tjetërsimin e këtyre sipërfaqeve, të cilat, sipas tyre, janë shfrytëzuar prej dekadash nga komuniteti vendas.
Gjatë ditës së sotme, disa prej banorëve janë paraqitur në komisariat për të dhënë deklaratat e tyre, ndërsa të tjerë, edhe pse pa fletëthirrje zyrtare, kanë qenë të pranishëm për të mbështetur njëri-tjetrin.
Situata mbetet e qetë, ndërsa pritet që autoritetet të sqarojnë ligjërisht çështjen e pronësisë së tokave brenda argjinaturës.
