Pas protestës së zhvilluar këtë të mërkurë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, banorët e fshatit Kaçinar në Mirditë kanë përgatitur një peticion drejtuar Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe për dijeni Kryeministrit Edi Rama.
Në dokument, ata kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të punimeve për ndërtimin e katër hidrocentraleve në zonën e tyre dhe rishikimin e koncesioneve përkatëse.
Peticioni është nënshkruar nga banorë të pesë fshatrave të prekur nga projekti: Arrëz, Kaçinar, Shtuf, Simon dhe Shperdhazë, të cilët shprehin mosdakordësi unanime ndaj ndërtimit të HEC-eve mbi lumin Shpërdhazë, një zonë e shpallur monument natyror. Ata e konsiderojnë projektin si një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetesën, ujin, mjedisin dhe ekonominë lokale.
Në peticionin e paraqitur, banorët pretendojnë për një sërë shkeljesh ligjore dhe proceduriale, përfshirë:
-Mungesën e dëgjesave publike me komunitetin lokal, siç parashikon ligji;
-Përdorimin e dokumenteve të falsifikuara me firma të banorëve, çështje të cilat janë objekt hetimi në Prokurorinë e Lezhës që nga viti 2020;
-Skadimin e lejes mjedisore të kompanisë “Shperdhaza Energji Sh.p.k.”, pasi nuk ka nisur punimet brenda afatit ligjor 2-vjeçar;
-Ndërtimin në një zonë të mbrojtur natyrore, çka përbën shkelje të legjislacionit për mbrojtjen e mjedisit.
Banorët paralajmërojnë se do të vazhdojnë rezistencën, nëse kërkesat e tyre nuk merren seriozisht nga institucionet. Ata kërkojnë që qeveria të ushtrojë kontroll të plotë mbi dokumentacionin e kompanisë ndërtuese, si dhe të angazhojë strukturat përkatëse shtetërore për hetim dhe bllokim të menjëhershëm të punimeve në terren.
“Populli i Njësisë Administrative Kaçinar, i tubuar sot, kërkon pezullimin e çdo veprimtarie ndërtimore nga kompania dhe rishikimin e plotë të lejeve të dhëna. Kjo është një thirrje për drejtësi dhe mbrojtje të të drejtës themelore për ujë dhe jetesë të dinjitetshme,” thuhet në peticionin drejtuar ministres Balluku dhe kryeministrit Rama.
Protestuesit dhe përfaqësuesit e komunitetit kërkojnë një përgjigje të drejtpërdrejtë nga qeveria, përndryshe paralajmërojnë për përshkallëzim të aksioneve qytetare në mbrojtje të territorit të tyre.
