TIRANE– Emrin e ka rrugë, madje dhe në hartë figuron si e tillë po vetëm rrugë nuk është. Pasi mbaron asfalti ajo që mbetet nga rruga Aleksandër Marteli i ngjan më shumë një shtegu të hapur me mjete rrethanore nga familjet e ardhura në shkozë në fillim të viteve 90.

Për më shumë se 27 vite ky shteg nuk u bë kurrë një rrugë me asfalt na thonë banorët e zonës të cilët tregojnë sesi çdo ditë u duhet të shkelin mbi pellgjet e fekaleve pasi mungojnë totalisht kanalizimet e ujërave të zeza. Banorët i druhen shpërthimit të ndonjë epidemia pasi fëmijët janë ata që luajnë në rrugën e pushtuar nga ujërat e zeza. Ka prej tyre që mbajnë në dorë faturat e ujit që thonë se i paguajnë rregullisht ku përfshihen edhe taksa e shkarkimit të ujërave të zeza, dhe e pastrim-gjelbërimit, shërbime bashkiake që nuk i kanë prekur dot në 27 vite.

Ato pak automjete që rrezikojnë të hyjnë në rrugën pa rrugë janë të vetmet që në kohë të këqija shërbejnë si urgjenca mjekësore. Shtegu i ngushtë që nuk e kap një kilometër gjatësi nga qendra e shkozës, është rruga e vetme për mbi 80 familjet e periferisë së kryeqytetit, që thonë se nuk kanë lënë derë a zyrë shteti pa trokitur në 2 dekadat e fundit duke nënshkruar edhe një peticion. Të revoltuar banorët paralajmërojnë bllokimin e rreth rrotullimit në shkozë, pikërisht rrugën që përshkon kryeministri për të vajtur në Surrel.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb