Banorët e fshatit Zvezdë, në bashkinë Maliq, janë ngritur në protestë mëngjesin e së dielës, duke kundërshtuar mënyrën e zbatimit të projektit për furnizimin me ujë të pijshëm. Ata shprehen të shqetësuar për cilësinë e punimeve që kanë nisur rreth dy javë më parë, të cilat sipas tyre nuk përmbushin standardet e nevojshme.

Pas më shumë se 30 vitesh mungesë të ujit të pijshëm, komuniteti i Zvezdës ka pritur me shpresë zbatimin e këtij projekti, por tani frikësohen se mund të përballen sërish me të njëjtin problem.

“Që në fillim të punimeve janë vërejtur probleme serioze në cilësi. Nuk duam që pas dekadash pritjeje të përfundojmë sërish pa ujë,” shprehen disa prej banorëve.

Një tjetër pikë e debatueshme për ta është vendndodhja e depozitës së ujit. Banorët kërkojnë që ajo të ndërtohet në fshatin Zvezdë, ku ndodhen burime të mjaftueshme për furnizim, dhe jo në fshatin Burimas, siç është parashikuar në projektin aktual.

“Kërkojmë që depozita të ndërtohet këtu, ku kemi burimet natyrore. Nuk ka logjikë që uji të vijë nga një fshat tjetër, ndërkohë që Zvezda ka kapacitetet e nevojshme,” shtojnë ata.

Protestuesit theksojnë nevojën për transparencë të plotë mbi përmbajtjen e projektit dhe kërkojnë përfshirjen aktive të komunitetit në procesin e vendimmarrjes. Ata paralajmërojnë se do të vijojnë me protesta deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: