Bllokojmë rrugën me banorët e Luzit, unaza e Fushë-Krujës skandal, rrezik fëmijët, të shtrohet rruga!
Banorët në fshatin Luz në Fushë Krujë kanë dalë sot në protestë për gjendjen e keqe të rrugës. Protestës së tyre i është bashkuar edhe Aulon Kalaja, i cili ngre shqetësimin për dëmtimin e rrugës pasi ka sjellë pasoja edhe me mjetet e vogla si edhe makinat e tonazhit të rëndë.
“Protesta e tyre është drejtë. Rruga është në gjendje lufte. Në trotuare mund të thyesh qafën nga lluci. Bizneset e kësaj rruge në faliment, se të gjithë e shmangin rrugën. Banorët që kanë shtëpitë aty përveçse i janë dëmtuar fasadat nga balta, por jetojnë në ndotje masive. Mjetet e vogla përfundojnë në servise në mënyrë sistematike. Makinat e tonazhit të rëndë po ashtu. Këta të fundit po përdorin rrugën e Fushë Krujës për kalim, natën. Nuk bëhet fjalë për rrugë fshati, por për unazën e Fushë-Krujës dhe rrugën ku kalojnë kamionët e fabrikave të çimentos dhe jo vetëm. Rreth 100 mijë banorë janë konsumatorë të këtij segmenti. Banorët duan zgjidhje. Kujdes, jo me çakull, por me asfalt në përputhje me punimet që bëhen në vendet e Bashkimit Europian”, theksoi ai.
