Në kuadër të sesionit të 70-të të Komisionit për Statusin e Grave (CSW70) në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, mori pjesë në eventin e organizuar nga Shqipëria dhe Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), në partneritet me Poloninë, me temë “Ligjet për Barazinë Gjinore si përshpejtues të pjesëmarrjes së barabartë dhe qeverisjes së ndjeshme ndaj gjinisë.”

Në fjalën e saj, ministrja Sala theksoi se legjislacioni për barazinë gjinore nuk është një instrument periferik i politikave publike, por një shtyllë strukturore e qeverisjes demokratike dhe e forcimit të institucioneve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Duke u ndalur te zhvillimet më të fundit në Shqipëri, ajo nënvizoi miratimin në vitin 2025 të Ligjit të ri për Barazinë Gjinore, i cili bazohet në më shumë se 15 vite përvojë zbatimi. Sipas saj, reforma synon të adresojë boshllëqet institucionale, të përmirësojë koordinimin ndërinstitucional dhe të forcojë qartësinë ligjore në politikat për barazinë gjinore.

Ministrja Sala bëri të ditur se ligji i ri ruan pragun minimal prej 30 % përfaqësim të balancuar gjinor në organet e zgjedhura dhe të emëruara, si një detyrim ligjor, ndërkohë që synon arritjen progresive të barazisë së plotë gjinore si objektiv strategjik afatgjatë.

Ajo theksoi gjithashtu se reforma siguron përputhje të plotë me acquis-in e Bashkimit Evropian për barazinë gjinore.

Në fjalën e saj, ministrja Sala vuri në dukje disa elementë kyç që, sipas përvojës shqiptare, e bëjnë efektiv legjislacionin për barazinë gjinore: përfaqësimin e balancuar si kërkesë ligjore në institucionet publike; integrimin e vlerësimit të ndikimit gjinor në procesin legjislativ; forcimin e buxhetimit të ndjeshëm ndaj gjinisë në menaxhimin e financave publike; si dhe përmirësimin e mekanizmave institucionalë të koordinimit dhe llogaridhënies.

Po ashtu, Ministrja Sala nënvizoi rëndësinë e njohjes së punës së papaguar të kujdesit dhe punëve të shtëpisë si faktorë strukturorë që ndikojnë në pjesëmarrjen e grave në jetën ekonomike dhe publike.

Ajo nënvizoi se miratimi i këtij ligji u shoqërua me një debat të gjerë publik, çka është pjesë natyrore e proceseve demokratike, duke theksuar se standardet e barazisë duhet të mbështeten në dialog institucional, qartësi ligjore dhe zbatim të qëndrueshëm.

Ministrja vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile, veçanërisht me UN Women dhe organizata të tjera, të cilat kontribuan në hartimin dhe avancimin e reformës.

Eventi mblodhi përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, ekspertë të barazisë gjinore dhe përfaqësues të institucioneve kombëtare të barazisë, duke ofruar një platformë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në forcimin e legjislacionit dhe politikave për barazinë gjinore.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb