“Barazia para ligjit do të jetë e pakthyeshme”, Rama flet për arrestimet e zyrtarëve të lartë nga SPAK: PS dhe BE, mbështetëse të Reformës në Drejtësi
08 Prill, 2025 17:00
Madhësia e tekstit:
Kryeministri Edi Rama foli për arrestimin e zyrtarëve të lartë nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, para përfaqësueses së lartë të BE për politikën e jashtme, Kaja Kallas, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Shefi i ekzekutivit tha se para ligjit janë të gjithë të barabartë siç edhe Europa e kërkon. PS dhe mazhoranca, shtoi kryeministri, janë mbështetëset e Reformës në Drejtësi dhe sipas tij kjo garanci do të vijojë.
“Kjo maxhorancë e ka mbështetur reformën në drejtësi dhe BE e ka mbështetur këtë reformë tepër të rëndësishme. Jam shumë krenar”, tha Rama.
Edi Rama: Ne e duam Europën, që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit. Ne sot po bëjmë ushtrimin për të pasur barazi para ligjit. Që nga 1912, ne s’kemi pasur rast që një person me pushtet politik të gjykohet në mënyrë të pavarur. Ne s’e kemi njohur çfarë është barazia para ligjit. Barazia para ligjit do të jetë e pakthyeshme. Nëse bëhemi pjesë e BE-së, kjo është e garantuar për ne.
Kjo maxhorancë e ka mbështetur reformën në drejtësi dhe BE e ka mbështetur këtë reformë tepër të rëndësishme. Jam shumë krenar.
Ne do të vijojmë të mbështesim procesin e barazisë para ligjin. Aleanca me BE është një garanci absolute sepse BE ka dijet dhe instrumentet për të na lehtësuar procesin që pa ata do të ishte i pamundur.