Kandidati i PD-së në Qarkun e Shkodrës, Bardh Spahia, ka takuar sot shefin e misionit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 Majit, dhe ekipin e tij të këshilltarëve e ndihmësve.
Spahia shprehu shqetësimin e tij në lidhje me mungesën e hetimeve dhe ndëshkimit të krimit zgjedhor, teksa denoncimet, veçanërisht nga PD kanë qenë të shumta.
Postimi i Bardh Spahias:
E pranova me kënaqësi kërkesën për takim në selinë e PD SHKODËR, të Ambasadorit Lamberto Zannier, shef i misionit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 Majit, dhe ekipin e tij të këshilltarëve e ndihmësve.
Diskutuam gjerësisht mbi klimën zgjedhore në qarkun Shkodër, me theks të veçantë te problematikat serioze që lidhen me përfshirjen dhe ndikimin e krimit të organizuar, parave të pista që vijnë nga aktivitetet e paligjshme, përdorimin politik dhe presionin mbi administratën, mass-median dhe përpjekjet e mazhorancës për të deformuar vullnetin e qytetarëve.
Shqetësim serioz mbetet mungesa e hetimeve dhe ndëshkimit të krimit zgjedhor, përtej denoncimeve të shumta që kemi bërë, me prova të pakontestueshme. Partia Demokratike është e angazhuar për një garë të ndershme, transparente dhe me fokus te qytetari dhe do bëjë gjithçka për të mbrojtur votën e lirë. Fushata jonë në Shkodër është e bazuar në program, shpresë dhe bashkëpunim me qytetarët dhe ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo votë më 11 maj. Prandaj ambasadorit Zannier dhe misionit të OSBE/ODHIR i kërkova angazhim maksimal për të parandaluar çdo masakër tjetër zgjedhore, që minon procesin demokratik dhe do të ishte një goditje e fortë për aspiratën tonë evropiane!
(BalkanWeb)
