Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi dhe deputetja Jorida Takabu po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Itali, ku kanë nisur takimet me Kryetaren e Grupit Parlamentar të “Forca Italia” në Senatin italian, znj. Stefania Craxi.
Italia ka qenë dhe mbetet një nga aleatet më të forta të Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian, një partnere e palëkundur në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit tonë. Për këtë mbështetje deputetët demokrat i shprehën mirënjohjen. Ata u shprehen se janë të vetëdijshëm se përgjegjësia për ta çuar Shqipërinë përpara i takon vetë shqiptarëve.
Deputetët demokrat konfirmuan qëndrimin e palëkundur të Partisë Demokratike për të mbështetur çdo proces që e afron Shqipërinë me Bashkimin Europian. Integrimi europian nuk është një slogan politik, por një proces që kërkon përkushtim real, reforma të thella dhe standarde të qëndrueshme demokratike.
“Fatkeqësisht, sot në vendin tonë po ndodh e kundërta. Propaganda mbizotëron, ndërsa standardet demokratike po cënohen. Ka tregues të qartë për cënimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, ndërkohë që korrupsioni i përhapur në çdo zyrë, jo vetëm që nuk luftohet, por mbrohet politikisht nga mazhoranca. Kjo qasje e dëmton seriozisht rrugën europiane të Shqipërisë. Shqipëria ka potencialin për të bërë më shumë. Qytetarët shqiptarë meritojnë më shumë. Dhe është detyra jonë ta bëjmë këtë realitet”, thanë ata.
