Nga: MENTOR KIKIA*
Stadiumet ku luhen ndeshjet ndërkombëtare të futbollit tashmë nuk janë vetëm arena të mbështetjes së skuadrës sonë, me apo pa kulturë europiane, si i ka hije tifozërisë së futbollit. Prej disa vitesh ato janë bërë më shumë vend-demonstrime masive të patriotizmit, apo një lloji nacionalizmi naiv, i cili nënkupton një dalldisje kolektive, ku të gjithë vishen me flamuj e së fundmi edhe me qeleshe e qylafë të bardhë, dhe ku nga ndeshja në ndeshje garohet për shpalosjen e flamurit më të madh në stadium. Kjo dalldi u bë aq masive sa në zgjedhjet e fundit fryma “Kuqezi” u shndërrua edhe në forcë politike, duke pasur si himn thirrjen “O sa mirë me qen shqiptar”. Nuk dua të analizoj rastin e ndeshjes me Serbinë, pasi ky takim, natyrisht që do të merrte të tjera ngarkesa, edhe pa incidentin e Beogradit, por në tërësi ndeshjet e skuadrës sonë përfaqësuese janë të mbingarkuara me doza patriotizmi, nacionalizmi, dhe ku pa pushim predikohet krenaria kombëtare, apo krenaria e të qenit shqiptar. Padyshim ka një rol të madh në amplifikimin e kësaj klime edhe media dhe vetë politika, e cila luan me qarin, duke i hedhur benzinë këtij zjarri, pasi për të është më mirë që populli të bërtasë e çirret për dashurinë ndaj atdheut e flamurit, sesa të merret me hallet e veta dhe punët e qeverisë.
Por ç’të keqe ka, do të thotë shumëkush, nëse shqiptarët vishen kokë e këmbë me flamuj e qeleshe, dëgjojnë e këndojnë këngë patriotike dhe bërtasin “O sa mirë me qenë shqiptar”? Ç’të keqe ka nëse mediat, një javë rresht merren me një ndeshje futbolli, që edhe politikanët dhe qeveritarët bëjnë të njëjtën gjë? Asgjë të keqe nuk ka, madje edhe kur shikon që pas zhgënjimit, të parët që e pësojnë janë sërish flamujt, që hidhen nëpër shkallët e stadiumit në shenjë zemërimi dhe kupton që patriotizmi vlen vetëm në raste suksesi.
Pas rezultatit të ndeshjes me Serbinë, në rrjetet sociale shpërthyen sharjet ndaj futbollistëve dhe u desh që atyre tu dalë në mbrojtje kryeministri nga zyra e tij, dhe jo në rrjetet sociale, për të ekuilibruar balancën. Tifozët nuk ishin më krenarë, ashtu si para ndeshjes, por Rama tha se ne jemi sërish krenarë për skuadrën tonë, edhe pse humbëm. Por çlidhje ka kjo me të qenit krenar dhe patriot?
Duket sikur beteja kuqezi, adhurimi për skuadrën dhe mania e përdorimit apo shpërdorimit të simboleve kombëtare, lidhet me nevojën për të qenë krenarë, ose më saktë me kërkimin e krenarisë së munguar si komb dhe si shoqëri. Duket sikur ka një vakum të cilin ne kërkojmë të na e mbushë skuadra kombëtare. Ajo ka për detyrë të na bëjë krenarë, dinjitozë dhe të qëndrojmë me kokën lart që jemi shqiptarë. Aq më shumë duke mundur grekët dhe serbët.
Kjo ndoshta vjen nga fakti se ne kemi pak ose aspak arsye të tjera për të qenë krenarë që jemi shqiptarë. Nëse kthejmë kokën pas, pak etapa të historisë kemi për tu krenuar. E tashmja është edhe më keq, ndërsa për të ardhmen nuk kemi shpresë fare. Unë, p.sh, do të gëzohesha që t’i mundnim serbët, por krenar do të ndjehesha sikur të kishim sistemin arsimor më të mirë se ata dhe vendet e tjera të rajonit, sikur të kishim sistemin shëndetësor më të mirë, të ishim një vend me zhvillim ekonomik apo standarde ligjore më të larta. Por këto ne nuk i kemi dhe padyshim që s’kemi pikën e arsyes të ndjehemi krenarë, madje s’po lëmë gjë pa bërë për të ikur nga vendi ku lindëm. Në këto kushte, adrenalinën e krenarisë së munguar kombëtare, ne po e shkarkojmë tek futbolli. Madje me tërë këtë dalldi patriotizmi, në vend të mbështetjes, ne e vëmë skuadrën përballë dhunës verbale e psikologjike, që nëse nuk fitojnë, ata nuk humbasin thjesht tre pikë, por vënë në dyshim dinjitetin kombëtar, ata nuk janë shqiptarë patriotë.
Në fakt ata kanë dhënë gjithçka. Ata kanë derdhur, pa asnjë hile, çdo pikë djerse, kanë luajtur me tërë fuqinë dhe dëshirën që mund të ketë një njeri, madje mund të thuhet se janë të vetmit që e bëjnë punën e tyre me përkushtimin më të madh. Por thjesht aq munden. Ndërsa ne nuk ngurrojmë t’i quajnë çfarë të duam, t’i shajmë dhe fyejmë. Sepse ata nuk na bënë të ndjehemi krenarë, ata nuk e meritojnë mbështetjen që ne u japim, në stadium dhe rrugëve me makina të mbuluara me flamuj.
Po sikur zemërimi i shqiptarëve që nuk u bën dot krenarë të binte edhe mbi klasën politike, p.sh? Po sikur ne të ndjeheshim po aq të fyer sa kur humbim një ndeshje futbolli, edhe kur Brukseli na thotë: Nuk do ta merrni statusin sepse jeni vendi më i korruptuar në Europë. Nuk do t’ua hapim negociatat sepse keni gjysmën e Parlamentit me kriminelë dhe duhet të pastroheni? Përse nuk ndjehemi të fyer ne kur shikojmë dhe dëgjojmë sesi politikanët më të lartë, ata që kanë drejtuar e ata që drejtojnë, i numërojnë njeri-tjetrit milionat e Eurove që i kanë vënë pa bërë asnjë punë, pa derdhur asnjë pikë djersë, siç derdhin futbollistët në fushë?
Në fakt ne këtu duhet të ndjeheshim më të fyer, dhe këtu duhet ta kërkojmë krenarinë e munguar, tek ata që kanë përdhosur sa interesat tona aq edhe interesat e kombit. Dhe, në kushtet kur gjithçka tjetër e kemi të përdhosur, i kemi vënë kombëtares mbi shinë barrën e rëndë që të na bëjë krenarë. Por futbolli është takat, është mundësi dhe mundësitë e skuadrës sonë këto janë. Edhe sikur 2 milionë njerëz me flamuj të flenë nëpër stadiume, ata s’mund të bëjnë përtej të mundurës. Ndoshta duhet të fillojmë ta kërkojmë krenarinë e humbur, apo të munguar, tjetër kund, dhe nëse do të jemi krenarë për ca gjëra të tjera, do të ndjehemi pak më të fyer si patriotë kur të humbim ndeshjet e futbollit.
(d.d/GSH/BalkanWeb)
