Jean -Noel Barrot i është kundërvënë deklaratës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se Evropa nuk mund të mbrohet pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara , duke theksuar se Evropa duhet të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj.
“Jo, i dashur Mark Rutte. Evropianët mund dhe duhet të marrin përgjegjësinë për sigurinë e tyre”, tha Ministri i Jashtëm francez të hënën në mbrëmje, duke kundërshtuar deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s para Parlamentit Evropian.
Ministri francez theksoi se evropianët nuk duhet të varen nga SHBA-të për mbrojtjen e tyre.
Barrot iu referua shtyllës evropiane të NATO-s dhe argumentoi se Evropa ka aftësitë për të mbrojtur veten, pa u varur nga ndihma e SHBA-së.
Ai vuri në dukje se edhe SHBA-të pajtohen që shtylla evropiane e NATO-s është e rëndësishme dhe përmendi deklaratat e vetë Rutte-s si shembull, duke deklaruar se “SHBA-të kanë nevojë për NATO-n”.
Rutte kishte theksuar në Parlamentin Evropian se Evropa nuk mund të mbrohet pa mbështetjen amerikane, duke shtuar se krijimi i një ushtrie evropiane mund të çojë në “mbivendosje” me NATO-n.
Ai tha gjithashtu se Evropa duhet të vazhdojë të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara dhe të lejojë blerjen e armëve amerikane për Ukrainën, pavarësisht kundërshtimeve nga disa vende evropiane si Franca.
