Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me të rinjtë që prej pamundësive ekonomike nuk kanë vazhduar ose kanë vështirësi ekonomike për të vijuar studimet e larta apo Universitetin.

Një i ri, Ernest Sulaj ka mundur të studiojë për gjeografi momentalisht, por s’mund ta vijojë nëse nuk punon, dhe për këtë është bërë punëtor në ndërtim.

Basha tha se ndryshimin e kanë bashkërisht shqiptarët në dorë, dhe pa rininë në ballë të kësaj përpjekje nuk mund të ndodhë. Sipas tij 25 prilli është bardh e zi më shumë se kurrë, dhe ka vetëm dy rrugë, ose shqiptarët bëhen bashkë dhe ndryshojnë vendin, ose e dorëzojnë në duart e së keqes.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

NJOFTIMI NGA PD

NJOFTIMI PËR BASHKËBISEDIMIN E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA ME TË RINJ QË PËR SHKAK TË VËSHTIRËSIVE EKONOMIKE NUK E KANË VAZHDUAR OSE KANË VËSHTIRËSI TA PËRFUNDOJNË UNIVERSITETIN.

Në turin e takimeve me të rinjtë, kryetari i PD, Lulzim Basha, zhvilloi një bisedë shumë interesante me disa të rinj që nuk kanë vijuar dot universitetin ose kanë pamundësi të mbarojnë studimet nga pamundësia ekonomike.

Ernest Sulaj, studion për gjeografi dhe zanati i tij është mësuesia, por ai i tha kryetarit të PD se për të mbaruar studimet duhet të punojë dhe këtë nuk e bën në zanatin e tij, por si punëtor ndërtimi.

 

“Ernest Sulaj: Unë quhem Ernest Sulaj. Unë jam student, master viti i dytë, studioj gjeografi, master profesional dhe së shpejti një mësues i së ardhmes. Përveçse punoj në ndërtim, shoh që nuk kam të ardhme.

Lulzim Basha: Ernest, punon në ndërtim?

Ernest Sulaj: Po!

Lulzim Basha: Ditë për ditë?

Ernest Sulaj: Po!

Lulzim Basha: Sa orë në ditë?

Ernest Sulaj: Pa orar, nga ora 7 deri në 5, 6 mbasdite.

Lulzim Basha: Çfarë pune bën?

Ernest Sulaj: Me skela. Punoj në ndërtim, nuk e kam problem, e kam pasion. Por problemi im është sepse unë kam investuar shumë për shkollimin tim, familja ime gjithashtu ka investuar dhe e shoh që pas tre muajsh ku unë duhet të jem praktikant shumë koleg të mi do të marrin një rrogë më të ulët sesa unë marr në ndërtim.”

Gjatë bisedës, kreu i opozitës shpjegoi edhe planin e PD për arsimin, veçanërisht pjesën për pagat e mësuesve. Mësuesit e papaguar, tha Basha janë dëmi më i madh që i bëjmë fëmijëve tanë.

“Pagat e mësuesve në Shqipëri janë më të ulëtat në rajon. Pagat e mësuesve në Shqipëri nuk kanë pasur rritje në këto vite. Tani pas 7 vitesh premtime të pambajtura, tani që po vjen momenti për ta larguar këtë qeveri me votë, janë kujtuar dhe kanë premtuar rritje rrogash, po rritja e rrogave që kanë premtuar është prapë simbolike krahasuar me atë që nuk kanë bërë për 7 vite me radhë. Në qoftë se ne mësuesit i kemi më të papaguarit në rajon, të parët që dëmtohen janë fëmijët, janë nxënësit, janë studentët dhe natyrisht familjet e tyre. Pra, dëmi që vjen nga mësues të papaguar mirë, është një dëm për të gjithë shoqërinë. Dhe ne këtë e dinim fare mirë kur dyfishuam rrogat e mësuesve. Ju jeni të rinj por në qeverisjen tonë të mëparshme, ne premtuam dyfishimin e pagave të mësuesve. Dhe kur e premtuam shumë njerëz thanë kjo s’bëhet, ky është premtim elektoral. Fakti është që pagat u dyfishuan. Kjo padiskutim pati një impakt të jashtëzakonshëm jo vetëm tek mësuesit por edhe tek nxënësit, tek studentët dhe tek gjithë familjet shqiptare. Sot sfida e parë e qeverisjes të pas 25 prillit, është që mësuesit shqiptarë nga më të nënpaguarit të rajonit, të paktën të barazohen pagat me mesataren e rajonit. Ky është objektivi i parë sa i përket pagave të mësuesve”, – tha Basha.

Basha iu tregoi të rinjve se rruga e vetme është ndryshimi dhe vendosja e politikës në shërbim të njerëzve.

“Resursi, burimi, forca më e madhe që kemi për të ndryshuar është një politikë në shërbim të njerëzve. Investimi më i madh i kundërshtarit tonë politik sot në qeveri është të zhbëjë besimin tek politika si instrument ndryshimi. Kjo është një qeveri dhe ky është një kryeministër që mendon vetëm për veten, nuk mendon për njerëzit. Dhe pastaj mundohet të shkatërroje instrumentin e vetëm një njeh demokracia për ndryshim që është investimi të një vizion i ri, të një energji e re, te një përqasje e re. Jo thjesht një ndryshim karrigesh, një ndryshim përqasje. Një politikë në shërbim të njerëzve, një politikë e cila i vë interesat e qytetarëve te parat është forca e vetme që mund të sjellë ndryshimin. Dhe i gjithë investimi i tyre përdoret për të shkatërruar besimin që ky ndryshim nuk ndodh për të thënë që kështu është e thënë, kështu është e shkruar, nuk ndryshon dot. Shqipëria kështu e ka fatin të shkruar, ne kështu e kemi fatin të shkruar, s’kemi asnjë rrugë tjetër. O të ulim kokën, o të largohemi nga vendi. Jo, nuk ka pse të jetë kështu dhe nuk do të jetë kështu pas 25 prillit. besoj që ky të jetë një motiv i mjaftueshëm për të na bërë të gjithëve bashkë dhe për të sjellë ndryshimin që meritojnë të gjithë familjet shqiptare pavarësisht bindjeve politike dhe ndryshimin që kërkon dhe meriton në veçanti rinia shqiptare.

Dy rrugë ka. Ose të bëhemi të gjithë bashkë e të ndryshojmë Shqipërinë, ose ta dorëzojmë vendin në duart e të keqes. Ju mund të ju duket paradoks, se me siguri mendja ta do që ndryshimi të vijë nga ata që kanë më shumë përvojë e më shumë përgjegjësi, por kurrë ndryshimi nuk ka ardhur pa qenë rinia në ballë të ndryshimit. Ajo që na duhet është të bashkojmë energjinë rinore rreth këtij synimi. Edhe njëherë, asgjë  nuk është më bardh e zi sesa 25 prilli. Të qëndrosh në shtëpi do të thotë të vazhdojmë kështu si jemi dhe synimi kryesor i kësaj qeverie 7 vite ka bërë premtime dhe s’ka mbajtur asnjë premtim, është që të vazhdojë kështu siç është. Janë të vetmit që nuk e duan ndryshimin. Pse? Ata janë në rregull. Të gjithë shqiptarët vuajnë, ata janë në rregull. Pra, kurrë nuk ka qenë më e thjeshtë dhe më e qartë zgjedhja që duhet bërë. Do të vazhdojmë këtu ku jemi, kështu siç jemi apo do ta ndryshojmë?  Dhe thirrja kryesore që kam për ju është që në qoftë se jeni të vendosur për ta ndryshuar dijeni që e kemi bashkërisht në dorë ndryshimin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb