Kreu i PD, Lulzim Basha gjatë takimit me mësuesit e nivelit të arsimit parauniversitar në Tiranë ka siguruar se 20 mijë artistët që punojnë e jetojnë në Shqipëri do të mbështeten me buxhet dinjitoz.

Basha thotë se buxheti që do të ketë qeveria e PD do të jetë sa ajo që siguron Maqedonia e Veriut fqinje.

Sa i përket mësuesve, Basha tha se ata do të jenë pas 25 prillit të lirë nga presioni politik.

 

LULZIM BASHA: Ajo ç’ka do kërkoja nga ju pas ardhjes në pushtet dhe ngritjes së institucioneve arsimore, ku mësuesi të jetë partner… mësuesi të ndihet i çliruar… të shihet si ai njeri i nderuar dhe i vlerësuar nga i gjithë komuniteti për atë çka ai bën për ardhmërinë e fëmijëve të tyre. Dhe mësuesi kur të shkojë dhe në takimet e opozitës së nesërme, le të jetë thjesht një dëgjues i ofertave që do t’i paraqesin, të jetë një këshillues edhe i atyre… pra të kenë mposhtur frikën. Këtë shpresoj që ju do ta arrini …

… një nga misionet kryesore të normalizimit të politikës shqiptare, është që ta largojë frikën si një instrument sundimi. Njerëzit duhet të jenë të lirë të thonë mendimet e tyre dhe kjo është A e demokracisë! Njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehin votën e tyre, ky është themeli i bashkëjetesës demokratike! Njerëzit duhet të jenë të lirë të shpërblejnë ose ndëshkojnë një qeveri me votën e tyre… dhe kjo është baza e demokracisë! Ky është formimi im, kjo është kërkesa juaj, kjo është minimumi që meriton Shqipëria dhe shqiptarët!

 

ESAT RUKA:  Dhe do kisha shumë dëshirë, pavarësisht se kush e drejton qeverinë, do kisha dëshirë që zhvillimi i kulturës dhe i artit mos kishte ndalesa, mos kishte tjetërsime, por mjerisht situata është jo vajtuese, por për të ardhur keq. Nuk gjej shprehje për të thënë sepse ky standard mosinteresimi, kjo zbehje totale e institucioneve kulturore në shkallë vendi, është në një standard të tillë sa është besoj se të gjithë njerëzit tashmë e njohin, jo vetëm vobektësinë e aktiviteteve kulturore, jo vetëm deformimet e anashkalimet po edhe mohimet dhe unë në këtë pikë  do të lutem shumë zoti kryeministër, me gjithë hallet që ka ky vend, unë mendoj që trashëgimia kombëtare kërkon një mendje të posaçme, shumë serioze, shumë profesionale, me një ndjeshmëri atdhetare.

LULZIM BASHA: Janë afro 20 mijë individë në Shqipëri të cilët ushtrojnë artin dhe kanë nevojë për mbështetje… ne do të sigurojmë mjaftueshëm buxhet, para nga buxheti i shtetit saç siguron fqinji jonë lindor, Republika e Maqedonisë së Veriut, që këta artistë të kryejnë me dinjitet dhe jo pasigurinë e çatisë apo bukës së gojës. Së dyti, do ti japim artit vendin që i takon edhe në rritjen e brezave të rinj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb